Andin Hoti për marrëveshjen për të pagjeturit: Moment i rëndësishëm, do t’i adresojmë shqetësimet tona
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjeturit, Andin Hoti, ka thënë se pas tri vitesh dialog dhe tendencave të pajustifikueshme për zvarritje nga ana e Serbisë, sot në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur. Hoti tha se ky hap përben një…
Lajme
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjeturit, Andin Hoti, ka thënë se pas tri vitesh dialog dhe tendencave të pajustifikueshme për zvarritje nga ana e Serbisë, sot në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.
Hoti tha se ky hap përben një moment të rëndësishëm në adresimin e shqetësimeve të Kosovës në lidhje me çështjen e personave të zhdukur, të cilën ai e quajti të ndjeshme dhe të rëndësishme për familjet në shoqërinë kosovare.
“Komisioni i Përbashkët, i kryesuar nga Bashkimi Evropian, do të jetë trupa më e lartë që do të ketë përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit efektiv dhe në plotësi të Deklaratës së Personave të Zhdukur”.
“Njëkohësisht, do të shërbejë si platformë, ku më në fund do të mund të adresojmë të gjitha shqetësimet tona sa i përket ngecjeve në proces dhe mosadresimit adekuat të këtyre ngecjeve apo pengesave; përfshirë këtu mungesën e bashkëpunimit të Serbisë në Grupin Punues dhe refuzimin për të hapur arkivat përkatëse”, tha Hoti.
Tutje, ai tha se shpreson që ky hap të shërbejë si një moment përparimi drejt zgjidhjes përfundimtare dhe të shumë vonuar, sipas tij, të fatit të personave të zhdukur dhe lehtësimit të dhimbjes së familjeve të tyre, të cilat tha se shumë kohë kanë pritur drejtësi dhe të vërtetën.