Analizë: Rezoluta britanike dhe ajo ruse për Srebrenicën, hutojnë Serbinë

Pas konsultimeve të mbrëmshme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nuk është arritur ndonjë marrëveshje rreth rezolutave të Britanisë dhe Rusisë. Është bërë thirrje liderëve politikë që të pranojnë gjenocidin në Srebrenicë.

Lajme

07/07/2015 13:58

Britania e Madhe ka dërguar mbrëmë versionin e gjashtë dhe njëherit final rreth rezolutës për Srebrenicën, e cila është më e pa favorshmja, që deri më tani është dërguar.

Teksti i cili sot do të gjendet para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilën e përditshmja serbe “Novosti” ka arritur ta sigurojë një kopje, është përkeqësuar edhe më tej për dënimin e çfarëdo refuzimi të pranimit të gjenocidit në Srebrenicë.

Autorët e rezolutës, e cila, në Beograd, Banja Llukë dhe Moskë, është vlerësuar si tejet anti-serbe, kërkojnë “që të pranohen ngjarjet tragjike në Srebrenicë si gjenocid, pasi që ky është një parakusht për pajtim”, transmeton lajmi.net.

Gjithashtu ftohen liderët politikë nga të gjitha anët që të pranojnë krimet e dëshmuara me fakte, dhe të dënojnë mohimin e gjenocidit si parakusht drejt pajtimit, ku thuhet se mohimi i saj është thellësisht shqetësues për viktimat, shkruan kjo e përditshme serbe.

Përveç kësaj, “është gatuar” edhe formulimi në të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë, siç është konfirmuar nga gjykata e Tribunalit të Hagës dhe Gjykata Ndërkombëtare të Drejtësisë, në përputhje me versionin e fundit të tekstit britanik.

“Sërish është ndryshuar neni që ka të bëjë me krimet seksuale, në të cilin edhe njëherë janë shlyer fëmijët e dhunuar dhe, tani thuhet se ‘ka pasur mijëra raste të dhunës seksuale me viktima në të gjitha anët’”.

“Gjithashtu, ka mbetur edhe dispozita në të cilën kërkohet nga shtetet që leksionet nga e kaluara t’i përfshijnë në tekstet shkollore”, thuhet më tej në këtë tekst.

Sipas informacioneve të Novostit, dje në Këshillin e Sigurimit është mbajtur edhe një raund tjetër i konsultimeve, dhe pasi që nuk është arritur marrëveshje rreth dakordimit të tekstit të cilin do të duhej të gjithë ta mbështesnin, Londra ka dalë me një version të ri që, njëherit është edhe versioni final i formës së prerë.

“Pavarësisht rezultatit të votimit rreth rezolutës britanike, Serbia duhet që pas seancës së sotmet ë Këshillit të Sigurimit të OKB-së të shqyrtojë pozicionin e saj në politikën e jashtme karshi fuqive të mëdha”.

“Sepse nëse kalon ky tekst i Londrës, që është i pafavorshëm për Serbinë, do të mund të vinte deri te një ftohje e përkohshme e marrëdhënieve dypalëshe midis Serbisë dhe Britanisë. Sipas këtij skenari, Moska nuk do të vendoste veton dhe ndoshta do të lëkundeshin nga marrëdhëniet miqësore të vendit tonë me Rusinë”.

“Në rastin e kundërt, nëse Moska bllokon rezolutën, atëherë Beogradi do të mund të futej në disfavor politik me Perëndimin, dhe kështu do të rriteshin pritjet e Kremlinit që marrëdhëniet tona të forcohen edhe më shumë”, thuhet në shkrim.

Cilat do të jenë rezultat e këtyre përplasjeve disa javëshe diplomatike, sipas kësaj gazete, do të dihet sot pasdite, kur në East River do të mblidhen ambasadorët e 15 shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit. Ata do të vendosin për dy dokumentet e shumëpërfolura rreth ngjarjeve në Bosnjë dhe Hercegovinë, rezolutës Britanike për Srebrenicë dhe asaj Ruse që është një kundër qëndrim i të parës.

Sipas informacioneve të Novostit, bëhet e ditur se Londra zyrtare ka përgatitur edhe “Planin B”, në rast se propozimi i tyre nuk kalon në Këshillin e Sigurimit. Në atë rast ata do të kërkonin që Asambleja e Përgjithshme në sesionin e saj në shtator të sqarohet rreth dokumentit, për të cilën kërkohet miratim nga shumica e deputetëve të pranishëm në seancë.

Ndërkohë, kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar para takimit të Këshillit të Sigurimit, se rezoluta e Britanisë do të ndikojë në politikën e këtij shteti dhe në rajon, pavarësisht rezultatit të votimit, por çdo përpjekje për të shembur Republikën Srpska do të hasë në rezistencën serbe, e cila është një garantuese e Marrëveshjes së Dejtonit:

Nëse rezoluta nuk votohet, do të ishte lajm i mirë për Serbinë dhe rajonin. Por nëse miratohet do të jetë lajm i rëndë, por ne do të luftojmë dhe do të ndërtojmë ura dhe fabrika tjera duke u forcuar ekonomikisht. Ne jemi një vend i vogël dhe nuk kemi të drejtë të presim diçka nga fuqitë e mëdha, por vetëm nga vetja, qeveria dhe populli jonë.

Përndryshe, qeveria e Serbisë do të mbështesë formimin e një komisioni rajonal për të vendosur për numrin e viktimave të luftërave në ish-Jugosllavi, sepse është e nevojshme të arrihet pajtimit kombëtar në Ballkanin Perëndimor, ka deklaruar kryeministri serb gjatë bisedimeve me përfaqësuesit e koalicionit Komra.(lajmi.net)