Analizë: Kurti synon përçarjen e LDK-së dhe bashkimin e Vjosa Osmanit me Vetëvendosjen

10:36 | 20 Janar 2020

Cilido që të jetë epilogu i bisedimeve në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për krijimin e Qeverisë së re, duket që ambiciet dhe synimet e mëdha politike të Vjosa Osmanit do të shkaktojnë probleme serioze në subjektin e saj politik.

Lidhja Demokratike e Kosovës në tërë historikun e saj, që tashmë ka hyrë në dekadën e katërt, me merita të jashtëzakonshme politike në lëvizjen për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, kur bëhet fjalë për udhëheqësinë e saj më të lartë, nuk ka njohur deri viteve të fundit një fenomen çfarë e personifikon Vjosa Osmani, nënkryetarja e LDK-së dhe kandidatja për postin e Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar.

Fenomeni Vjosa Osmani nuk është hetuar në kapitullin kur LDK-ja është udhëhequr nga presidenti Ibrahin Rugova (1989-2006), as në atë të trashëgimtarit të tij Fatmir Sejdiut (2006- 2010), si dhe këtë të Isa Mustafës prej vitit 2010 e këndej.

Vjosa Osmani ka një konsistencë të qartë politike: thuajse asnjëherë nuk ka respektuar trashëgiminë politike të Ibrahim Rugovës, që LDK-ja si partia më e vjetër në vend duhet të shquhet me një konstruktivitet në raport me subjektet tjera, qoftë edhe përmes kompromiseve në krijimin e institucioneve qendrore të Kosovës  (ishte presidenti Rugova ai që e favorizoi koalicionin e gjerë pas zgjedhjeve të para parlamentare të vitit 2001, si dhe koalicionin me AAK-në e RamushHaradinajt në vitin 2004). Pastaj, Osmani është shquar edhe me refuzimin kategorik për t’i respektuar qëndrimet e forumeve më të larta partiake të LDK-së, siç ndodhi me rastin kur ajo votoi kundër zgjedhjes së Isa Mustafës për Kryeministër, në dhjetorin e vitit 2014.

Osmani me një grup deputetësh të LDK-së ishte edhe në ballë të një qëndrimi të panjohur në historinë e kësaj partie, kur nuk u përkrah vlerësimi zyrtar amerikan që Marrëveshja për Shënjimin e Kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi është në rregull (gusht 2015). Dihet që mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje në Kuvendin e Kosovës i kushtoi shumë shtrenjtë Isa Mustafës dhe Qeverisë së tij. Kjo ndodhi, përkundër se koalicioni i madh ndërmjet PDK-së dhe LDK-së bashkë me komunitetet pakicë kishin një shumicë të duhur prej mbi dy të tretave të Kuvendit, pikërisht për shkak të rezistencës së 13 deputetëve të LDK-së të prirë nga Shpejtim Bulliqi dhe Vjosa Osmani, duke ndërmarrë veprime bllokimi në Kuvendin e Kosovës, shkruan lajmi.net.

Sidoqoftë, qasja kësisoj e Vjosa Osmanit nuk pati kurrfarë pasojash për karrierën e saj politike në LDK. Përkundrazi, ajo është promovuar dhe në verën e vitit të kaluar ishte avancuar në nënkryetare të LDK-së. Madje mori edhe nominimin e partisë për postin e Kryeministrit të Kosovës.

Në qarqet më të larta të LDK-së në atë kohë besohej që Osmani do të arrijë të bëjë për vete votën e ndryshimit nga brezi i ri, i cili anon kah Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, si dhe që do ta ruante përparësinë evidente që LDK-ja e kishte ndaj partive të tjera, në radhë të parë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje prej së paku pesë pikësh, sipas sondazheve, në kohën e nominimit të Osmanit.

Dihej që gara për të parin në zgjedhjet e 6 tetorit do të bëhej në mes të LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Për më tepër, në vend se Osmani të merrej me dallimet evidente politike që ekzistojnë në mes të LDK-së dhe Vetëvendosjes, ajo iu vërsul gjatë gjithë fushatës presidentit Thaçi dhe PDK-së, edhe pse LDK-ja kishte dhe ka edhe sot e kësaj dite identitet të qartë në rivalitetin ndaj PDK-së, kurse në anën tjetër fitorja apo humbja zgjedhore kësaj radhe varej kryekëput nga raporti në mes të LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Këtu nuk u bë veçimi i qartë i identitetit në fushatë, edhe pse objektivisht sa i përket orientimit madhor politik dallimet në mes të LDK-së dhe Vetëvendosjes janë shumë të mëdha.

Dihet më pas se çfarë sollën rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Por, më gjithë disfatën zgjedhore për ta nxjerr LDK-në të parën, Vjosa Osmani nuk e ofroi dorëheqjen duke injoruar në tërësi kërkesat e strukturave të LDK-së.

Që prej kësaj dite e tutje, edhe pse realisht ajo pësoi disfatë të hidhur në këto zgjedhje, Osmani ka provuar vazhdimisht të bëhet lojtare kryesore politike në taborin e LDK-së, konkretisht në komunikimin e saj me Albin Kurtin, me diplomatët në Prishtinë dhe jashtë vendit, gjithnjë me qëllim të arritjes me çdo kusht të një koalicioni qeverisës në mes të LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Asnjë të vetmen herë, për dallim prej shumë politikanëve të rëndësishëm në Kryesinë e LDK-së, Osmani nuk ka artikuluar asnjë kritikë ndaj Albin Kurtit dhe partisë së tij, edhe pse prej kryetarit Isa Mustafës dhe tutje, veçmas pas 26 dhjetorit deri më sot kur GlaukKonjufca u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Kosovës, udhëheqësia e LDK-së nuk ka hezituar për t’i bërë publike qëndrimet e veta të cilat vinin në dyshim ofertën e Kurtit për koalicion qeverisës.

Për më shumë, Osmani në disa deklarata të saj publike ka kontestuar mekanizmat e zakonshëm vendimmarrës në LDK për temat e mëdha politike, një herë duke kërkuar që Grupi Parlamentar i LDK-së ta ketë fjalën e fundit për mundësinë e krijimit të Qeverisë së partneritetit në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së, pastaj duke u thirrur në vullnetin e anëtarësisë së LDK-së, si kryesori në këtë temë, më në fund edhe duke insistuar që të thirret Këshilli Drejtues i LDK-së për të vendosur për ofertën finale të Kurtit, e cila ishte kthyer mbrapsht nga Isa Mustafa.

Në anën tjetër, dihet botërisht që Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, para zgjedhjeve kanë artikuluar qartë mendimin e tyre se në rast të fitores së kësaj partie në zgjedhjet e 6 tetorit, Vjosa Osmani do të bëhet Kryetare e Kuvendit. Për më shumë, në ditët e negociatave më intensive në mes të LDK-së dhe Vetëvendosjes, para zgjedhjes së Konjufcës për Kryetar të Kuvendit, kur u trajtua edhe opsioni i propozimit të presidentit të ardhshëm nga ana e LDK-së në vitin 2021, Albin Kurtikonfidencialisht në takime me diplomatët perëndimorë theksonte që ky insistim i LDK-së do të ishte i pranueshëm për partinë e tij, nëse Vjosa Osmani do të ishte kandidate e LDK-së. Këtë qëndrim konfidencial të Kurtit ato ditë e bëri publik edhe GlaukKonjufca në mediat kosovare.

Ishte ky një rast i pashoq në politikën kosovare kur një parti politike që pretendon ta bëjë koalicionin me një subjekt tjetër, bënë përzgjedhjen e kandidatëve të pranueshëm për të nga partia tjetër, për poste të dorës së parë.

Në qarqet më të larta të LDK-së janë shtuar dyshimet që Osmani po e informon Kurtin për të gjitha zhvillimet në instancat kryesore të LDK-së, gjë që edhe u shpreh publikisht nga Arban Abrashi, Sekretari Organizativ i LDK-së, i cili për më shumë pohoi që duket se kreu i Vetëvendosjes po informohet gabimisht për disponimin e LDK-së në lidhje me Qeverinë e përbashkët.

Kur Albin Kurti përmend edhe opsionin e zgjedhjeve të reja parlamentare si rrugëdalje nga bllokada e tanishme politike, e cila ka vetë Kurtin si autor dhe kryeprotagonist të saj, sepse Kurti po refuzon të marrë mandatin për ta bërë Qeverinë nga presidenti Thaçi, ai llogarit edhe në mundësinë e shkëputjes së Osmanit nga LDK dhe bashkimin e saj me Vetëvendosjen, apo edhe në një mësymje të re të Osmanit për ta marrë kreun e LDK-së.

Cilido që të jetë epilogu i bisedimeve në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së për krijimin e Qeverisë së re, duket që ambiciet dhe synimet e mëdha politike të Vjosa Osmanit do të shkaktojnë probleme serioze në LDK apo siç kanë qejf ta quajnë vetë në partinë më të vjetër kosovare.

Pasuria e paluajtshme e Vjosa Osmanit dhe bashkëshortit të saj arrin në 467,500 euro. Ajo ka edhe 20 për qind aksione në kompaninë “First Legal Solutions”, si dhe bashkë me bashkëshortin dhe fëmijët ka para të gatshme në bankat e Kosovës dhe Australisë gjithsej 120, 583 euro.

Kandidatja e LDK-së për Kryeministre dhe Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Kryeministër e kanë edhe një gjë të përbashkët: fëmijët e tyre dytë i rrisin jashtë Kosovës, njëra në Australi, tjetri në Norvegji. /Lajmi.net/