Analizë: Çfarë rolesh kanë shtetet e koalicionit në luftën kundër IS?

Në fjalimin e tij të mbajtur javën e kaluar për IS, presidenti Barack Obama tha: “Fuqia ushtarake amerikane është e pakrahasueshme por kjo nuk mund të jetë luftë vetëm e Amerikës”.

Bota

16/09/2014 00:52

Aleatëve dhe partnerëve të Shteteve të Bashkuara Obama u zotua se do t’iu ofrojë mbështetje për të degraduar dhe përfundimisht për të shkatërruar grupin militant që ka vrarë shumë njerëz në Irak dhe Siri, që ka prerë kokat e dy gazetarëve amerikanë dhe një punëtori humanitar britanik.

Shtetet e Bashkuara kanë kryer më shumë se 150 sulme ajrore në Irak kundër IS, dhe Sekretari i Shtetit John Kerry ka thënë se rreth 40 shtete kanë rënë dakord se do të kontribuojnë në luftën kundër militantëve. Por, ende mbetet e paqartë se cilat vende janë në atë listë dhe cili do të jetë roli i saktë që ato do të luajnë.

Të dielën, Kerry tha se vendet e Lindjes së Mesme janë të gatshme për të ndihmuar në sulmet kundër IS, por ai tha për CBS se “nuk është e përshtatshme për t’i thënë emrat” e vendeve që do të marrin pjesë në këtë aleancë dhe se cilat do të jenë detyrat e tyre specifike.

Këto deklarata erdhën pas ekzekutimit të pengut të tretë, britanikut David Haines, dhe pasi që Kerry përfundoi turneun njëjavor në Lindjen e Mesme, duke u munduar që të rrisë mbështetjen në luftën kundër militantëve.

Të hënën është mbajtur samiti ndërkombëtar në Paris, ku është diskutuar për këtë koalicion. Pas takimit, qeveria franceze ka lëshuar një deklaratë ku janë paraqitur pikat e përgjithshme që palët kanë miratuar në luftën kundër IS.

Deri tani, kjo është ajo se çfarë është bërë e ditur për pjesëmarrjen e këtyre shteteve dhe rolin e tyre në këtë luftë. CNN ka bërë një analizë se cilat vende do të marrin pjesë në këtë koalicion ndërkombëtar në luftën kundër Shtetit Islamik dhe se çfarë rolesh do të kenë ato në këtë luftë.

Australia: Të dielën, Qeveria australiane i është përgjigjur një kërkese të Shteteve të Bashkuara, ku thuhet se ky shtet është duke u përgatitur që të dërgojë në Emiratet e Bashkuara Arabe tetë aeroplanë luftarakë si dhe 600 trupa. Australia gjithashtu do të ndihmojë që të ndalë krizën humanitare. Ndërkaq, zyra e Kryeministrit australian, Tony Abbott, ka njoftuar se trupat australiane nuk do të marrin pjesë në luftimet tokësore.

Britania e Madhe: Kryeministri David Cameron e ka quajtur IS “një kërcënim”. Ai të dielën ka deklaruar se Britania e Madhe do të ndihmojë krahun e forcave kurde, si dhe do të mbështesë qeverinë irakiane. Gjithashtu do të dërgojë furnizime me ndihma humanitare dhe do të koordinojë së bashku me Kombet e Bashkuara luftën kundër IS.

“Kjo nuk ka të bëjë me trupat britanike që janë në terren”, tha ai. “Kjo ka lidhje me bashkëpunimin me të tjerët për të shuar këtë kërcënim terrorist”.

Franca: Franca ka filluar fluturimet me aeroplanë spiunimi mbi Irak, ka deklaruar të hënën Ministria e Mbrojtjes franceze. Dy aeroplanë ushtarak “Rafale” janë nisur nga një bazë ajrore që gjendet në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Franca deri më tani ka kontribuar me 18 mijë copë municion të kalibrit 50, në luftën kundër IS, ka thënë një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, gjatë një konference të hënën. Forcat ajrore të Francës gjithashtu kanë marrë pjesë në operacionin e fundit në qytetin irakian Amerli, duke bërë që luftëtarët e IS të tërhiqen, transmeton lajmi.net. Së bashku me Australinë, Britaninë  e Madhe, Franca gjithashtu ka dërguar ndihma humanitare në Irak.

Kryeministri irakian, Haider al-Abadi ka thënë se të premten presidenti francez Francois Hollande kishte premtuar se Franca “do të marrë pjesë në përpjekjet për të goditur vendet ku gjendet terroristët në Irak”.

Gjermania: Drejt pakësimit të propagandës dhe rekrutimit të IS, Gjermania ka ndaluar aktivitetet që mbështesin këtë organizatë terroriste, duke i bërë të jashtëligjshëm të gjithë ata që valëvisin flamurin e kësaj organizate. Gjermania gjithashtu ka dërguar ndihmë ushtarake në rajonin kurd, me qëllim që të luftohet Shteti Islamik.

Holanda: Në konferencën e së dielës, një zyrtar i Departamentit të Shtetit të Holandës vlerësoi se shteti i tij është duke “udhëhequr përpjekjen” për të ndalur shkuarjen e luftëtarëve të huaj ose personat që në çfarëdo forme mundohen  të ndihmojë këtë organizatë terroriste. Udhëheqësit holandezë kanë propozuar ndryshimin e ligjit kombëtar për heqjen e shtetësisë për ata që punojnë për terroristët.

Kanada: Departamenti i Shtetit ka thënë se Kanadaja do të ndihmojë me “pajisje dhe me municione” në përpjekje për të ndalur terroristët. Kryeministri kanadez, Stephen Harper ka njoftuar ditë më parë se më shumë se 50 trupa të operacione speciale janë duke u vendosur në Irak, si pjesë e një misioni këshillues, por që nuk do të ketë ndërhyrje të drejtpërdrejt ushtarake.

Të dielën, zyrtarët e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve i kanë bërë thirrje Italisë, Danimarkës, Shqipërisë dhe Kroacisë që të japin pajisje dhe municione në luftën kundër IS. Zelanda e Re, Rumania dhe Koreja e Jugut gjithashtu kanë njoftuar se do të japin ndihmë humanitare, ndërsa Koreja e Jugut ka njoftuar zyrtarisht se do të japë ndihmë humanitare në vlerë prej 1.2 milion dollarëve.

Turqia: Zyrtarët amerikanë thonë se Turqia ka ndërmarrë hapa në mënyrë që të ndalë rrjedhjen e parave që shkojnë drejt IS-it, dhe se ka ndërmarrë hapa për refuzimin dhe hyrjen, por dhe dëbimin e mijëra luftëtarëve të huaj që janë nisur drejt Sirisë, me qëllim që t’i bashkohen ekstremistëve. SHBA-ja shpreson se Turqia do të ndalojë importimin e naftës nga zonat që kontrollohen nga IS, të cilat i sjellin shumë fonde këtij grupi.

Jordania: Ish-ministri i jashtëm jordanez, Marwan Muasher ka thënë për CNN të dielën se ai dyshon se Jordania do të angazhojë trupa tokësore në luftën kundër IS. “Shtetet e Bashkuara do të duhet të marrin rolin udhëheqës në sigurimin që sulmet ushtarake të ndodhin”, deklaroi ai.

Roli kyç i Jordanisë do të jetë që të sigurojë zbulimin e militantëve për Perëndimin tha Muasher. Ai gjithashtu tha se inteligjenca e Jordanisë e ka të pamundur që të futet përbrenda strukturave të IS-it.

Arabia Saudite: Të enjten John Kerry u takua me ministrin e Jashtëm saudit, Princin Saud al-Faisal. Zyrtarët amerikanë thonë se Arabia Saudite ka ofruar që të trajnojë rebelët në tokën e saj. Në një konferencë të shkurtër me gazetarët, al-Faisal u tregua i mbyllur dhe nuk dëshironte që të jepte hollësi, por tha se shteti i tij ka “marrë gjithmonë iniciativa në lidhje me një pozicionim më të fortë karshi terroristëve dhe luftën kundër tyre”. Shtetet e Bashkuara gjithashtu dëshirojnë që Arabia Saudite, Katari dhe Egjipti, duke përdorur mediat e tyre, të përçojnë mesazhe anti-IS dhe që të inkurajojnë predikuesit fetar që ata t’i flasin masës kundër këtij grupi.

Arabia Saudite deri më tani ka dhuruar 500 milionë dollarë në arkat e agjencive të ndihmave humanitare të OKB-së për Irakun, ka thënë një zyrtarë i lartë i Departamentit të Shtetit.

John Kerry ishte pyetur nëse mendon që Arabia Saudite është duke mbështetur ekstremistët fetarë, që po shfaqen në formën e vehabizmit, por Kerry ishte përgjigjur se Arabia Saudite është “thellësisht e angazhuar për të mposhtur” IS-in. Një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve kundër terroristëve të IS është edhe ndërprerja e financimit të këtij grupit tha Kerry.

Egjipti: Kerry deklaroi të shtunën se Egjipti ka një rol kritik për të luajtur në kundërvënien ideologjisë së IS-it. Nuk ishte një “bisedë e detajuar me egjiptasit rreth bashkëpunimit ushtarak” në Irak, deklaruan zyrtarët e Departamentit të Shtetit, por duket se nuk ka detaje publike rreth rolit që Egjipti do të luajë. Ndërkaq, javën e kaluar, myftiu i madh i Egjiptit dënoi publikisht grupin terrorist duke thënë se veprimet e tyre nuk janë në përputhje me islamin. E kjo është parë si një sinjal i madh kulturor kundër IS.

Katari: Katari deri më tani ka dërguar ndihma humanitare.

Irani: Udhëheqësi Suprem Ayatollah Khamenei ka shkruar të hënën në Twitter se ai hedh poshtë çdo mundësi bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara sepse, sipas tij, “SHBA-të i kanë duart e përlyera në këtë çështje”. Ai gjithashtu tha se SHBA po planifikon të përdorë veprimet ushtarake kundrejt IS në mënyrë që të “dominojë rajonin”.

Kurdistani i Irakut: Liderët e rajonit gjysmë-autonom të Irakut janë të gatshëm që të dërgojnë forcat e tyre për të luftuar përtej kufijve të tyre në Peshmerga, nëse atje do të ketë ndonjë nevojë për ndërhyrje ndërkombëtare që paqja të sundojë, ka deklaruar presidenti Masud Barzani.