Analistët: Mustafa largoi nga lista të padëgjueshmit, i ngriti të afërtit

Ish-deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës: Shpejtim Bulliqi, Adem Salihaj, Hatim Baxhaku e Fatmir Rexhepi të cilët në disa raste janë treguar të padëgjueshëm ndaj shefit të tyre, Isa Mustafës kanë mbetur jashtë listës së kandidatëve të kësaj partie për deputetë. Ndërsa ish-deputetja tjetër e dëgjueshme, Vjosa Osmani është renditur e 81-ta në listën e LDK-së, pavarësisht faktit se në zgjedhjet e kaluara ishte deputetja më e votuar në Kosovë.

Lajme

24/05/2017 15:58

Analistët vlerësojnë se vlerësojnë se LDK-ja nuk ka dashur që listën e saj të ketë ata persona të cilët në të kaluarën i kanë shkaktuar probleme, pasi nuk i kanë respektuar vendimet e partisë, por kanë vepruar sipas bindjeve të tyre.

Ata madje thotë se Vjosa Osmani u fut në këtë listë, vetëm pse është vlerësuar se ajo mund t’i sjellë vota LDK-së.

Opinionisti, Imer Mushkolaj ka thënë se lista e kandidatëve për deputetë, e koalicionit të LDK-së është listë e përgatitur nga kreu i kësaj partie, Isa Mustafa.

“Unë e kam parë si listë të Isa Mustafës. Në listën e publikuan e shohim se janë pozicionuar goxha mirë persona të afërt me Isa Mustafën, në kuptimin e bashkëpunimit. Në anën tjetër, deputetja Osmani na ka bërë të ditur se ajo është caktuar si pjesë e listës vetëm pasi Mustafa është tërhequr nga kandidatura për kryeministër. Kjo tregon shumë se çka do të kishte ndodhë po të mos tërhiqej Mustafa”, ka thënë Mushkolaj për lajmi.net

Ai më tej ka thënë se nëse LDK-ja mendon të reformohet duke futur emra të ri në listë, kjo do të ishte në rregull, por ka thënë se LDK nuk mund të reformohet duke e pasur Isa Mustafën në krye të saj.

Ndërsa, duke folur për renditjen e Vjosa Osmanin në fund të listës, edhe pse ajo në zgjedhjet e fundit ishte deputetja më e votuar, Mushkolaj ka thënë se LDK ka vlerësuar se Osmani mund të iu sjellë vota, prandaj thotë se e ka përfshirë në listë.

“LDK-ja ka pa që ka interes nga Vjosa Osmani ka interes sepse ajo mund të sjell vota kudo që renditet. Vjosa Osmani nuk do të jetë e dëgjueshme sepse ka mendimet e veta. Ndërsa në renditjen e listës ka shumë absurditete duke e pa se kujt i është dhënë përparësi”, ka shtuar Mushkolaj.

Kurse, analisti, Ramush Tahiri ka thënë se secila parti i ka rregullat e demokracisë së brendshme.

“Zakonisht degët e secilës parti i propozojnë  kandidatët që pastaj shkojnë në Këshillin Qendror ku bëhet një seleksionim dhe pastaj kalojnë në Kryesinë e partisë dhe krejt në fund vendos kryetari. Kjo praktik është në të gjitha partitë”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka thënë për lajmi.net se është e natyrshme që partitë të lënë jashtë listës së kandidatëve për deputetë, ata persona të cilët nuk respektojnë vendimet e partisë.

“Është normale partitë ta kenë disiplinën partiake, sado që neve mund të mos na duket demokratike. Në këtë bazë  nuk lejohet shkarje ose lëvizje nga qëndrimi që merret në forumet e partisë. Në këtë rast, nuk lejojnë që deputetët të mos respektojnë vendimet e Këshillit të Përgjithshëm për çështjen e Demarkacionit dhe tani duket normale që ata nuk pajtohen me politikat e caktuara të partisë, të mos jenë në listat zgjedhore”, ka vlerësuar Tahiri. /Lajmi.net/