Analistët: Diskursi i fushatës pritet të dominohet nga polarizimi e akuzat
Me afrimin e zgjedhjeve të rregullta parlamentare që mbahen më 9 shkurt, fushata zgjedhore në Kosovë pritet të karakterizohet nga një diskurs i polarizuar, i dominuar nga akuzat dhe kundër-akuzat midis partive politike. Gazetari Muhamet Hajrullahu vlerësoi se motorrët e partive politike tashmë kur është afruar fillimi i fushatës zyrtare zgjedhore janë ndezur dhe partitë…
Lajme
Me afrimin e zgjedhjeve të rregullta parlamentare që mbahen më 9 shkurt, fushata zgjedhore në Kosovë pritet të karakterizohet nga një diskurs i polarizuar, i dominuar nga akuzat dhe kundër-akuzat midis partive politike.
Gazetari Muhamet Hajrullahu vlerësoi se motorrët e partive politike tashmë kur është afruar fillimi i fushatës zyrtare zgjedhore janë ndezur dhe partitë kanë filluar intensifikimin e aktiviteteve të tyre.
“Në momentin që hyjmë në fazën zyrtare të fushatës, do të ketë akuza dhe kundër akuza. Ne e kemi parë edhe nga partia në pushtet, pra nga kryeministri dhe përfaqësuesit e LVV-së, se tashmë kanë filluar zyrtarisht fjalët rënduese ndaj atyre që kanë udhëhequr deri para katër vitesh. Deklaratat e kryeministrit aktual, gjatë këtyre dy – tre ditëve të fundit janë se ne kërkojmë edhe një mandat tjetër pa ata. D.m.th. synimi i LVV-së është atakimi në këtë pikë, pra nuk na duhet ai PAN-i i dikurshëm për të vazhduar edhe një qeveri, sepse me ta nuk mund të bëjmë reforma në drejtësi, zhvillim ekonomik dhe problemet e tjera të brendshme”, ka theksuar Hajrullahu.
Ai tutje theksoi se gjatë kësaj fushate do të ketë akuza e kundër akuza shumë më të mëdha se sa jemi mësuar t’i shohim deri më tash në këtë pjesë të parafushatës, por edhe në historikun e zgjedhjeve të Kosovës.
Ndërkaq, profesori universitar Bujar Dugolli vuri në pah se edhe parafushata ka qenë shumë aktive, sidomos nga partitë opozitare, të cilat janë përqendruar në konsolidimin e strukturave të tyre.
“Parafushata ka qenë më shumë aktive nga partitë opozitare sesa nga LVV-ja. Kjo është normale për faktin se strukturat drejtuese të partisë janë në qeverisje dhe kanë obligime shtetërore para se të fillojnë një fushatë të hershme. Ndërsa tani padyshim do të ketë një dinamikë tjetër dhe tashmë ka filluar me atë ndezjen e motorrëve”, ka thënë Dugolli.
Ai ka thënë se do të ishte e dobishme dhe e nevojshme që partitë të nënshkruanin një deklaratë të mirësjelljes, për të garantuar një fushatë civilizuese.
“Dikur ka qenë praktikë që OSBE-ja t’i ulte partitë politike dhe të nënshkruanin një deklaratë të mirësjelljes. Presidentja ose vetë KQZ-ja duhet ta bëjë një gjë të tillë, që ne ta presim një fushatë civilizuese dhe shumë të mirë. Do të duhej që të kishte një deklaratë politike të gjitha subjekteve poitike që garojnë, që fushata do të jetë korrekte dhe zgjedhjet do të pasqyrojnë një klimë të qetësisë, mirëbesimit dhe se nuk do të ketë provokime apo sulme gjatë tubimeve të njëra – tjetrës, sepse me një shtet demokratik, zgjedhjet janë një ceremoni ndoshta edhe festive për të dëshmuar atë se funksionon shteti, funksionon demokracia”, ka nënvizuar Dugolli.
Në anën tjetër, politologu Shkodran Ramadani argumentoi se fushata do të karakterizohet nga polarizimi, i cili, sipas tij, do të jetë “i njëanshëm”.
“Polarizimi do të jetë i lartë, por do të jetë i njëanshëm. LVV qysh dje tha se nuk ka shancë me arrit asnjë koalicion as parazgjedhor e as paszgjedhor, pra ka zgjedhur një qasje e cila e demarkon në mënyrë shumë të prerë kufirin ndërmjet LVV-së dhe partive të tjera. Mes LVV-së që përshkruan veten si shëmbëlltyra e së mirës, kurse të tjerët si shëmbëlltyra e së keqes. Pra, do të ketë polarizim, por do të jetë i njëanshëm, sepse partitë opozitare qartazi kanë zgjedhur një tjetër qasje jo të polarizimit, por një qasje që nuk lufton kundër dikujt por lufton për diçka”, ka theksuar Ramadani.
Kjo, sipas tij, demonstrohet në vet faktin që partia e vetme që deri më tash nuk ka paraqitur program qeverisës për katër vitet e ardhshme është partia në pushtet.