Amerika respekton vendimin e Ramës

SHBA vlerësojnë faktin që Qeveria e Shqipërisë e shqyrtoi seriozisht mbështetjen e përpjekjes ndërkombëtare për të eliminuar materialet luftarake kimike të Sirisë në mënyrë të sigurt.

Lajme

15/11/2013 17:35

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka lëshuar një deklaratë në të cilën thotë se e respekton vendimin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama i cili refuzoi kërkesën për shkatërrimin e armëve kimike siriane.

“E respektojmë vendimin e Kryeministrit. Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë faktin që Qeveria e Shqipërisë e shqyrtoi seriozisht mbështetjen e përpjekjes ndërkombëtare për të eliminuar materialet luftarake kimike të Sirisë në mënyrë të sigurtë”.

Shtetet e Bashkuara, thuhet në deklaratën e Ambasadës, do të vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët si dhe me ONAK dhe Kombet e Bashkuara për të siguruar eliminimin e programit të armëve kimike të Sirisë.

“Mbetemi besimplotë se do ta përfundojmë eliminimin e programit brenda afatit për të cilin është rënë dakord.”

“Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një miqësi të fortë dhe jetëgjatë. Ne vazhdojmë të mbështesim Qeverinë dhe popullin e Shqipërisë teksa punojnë për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më demokratike”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA’ve në Shqipëri.