Amerika në Hagë, në mbrojtje të luftës së UÇK-së – Dëshmia e Rubinit që e eklipsoi aktakuzën e Speciales

15, 16 dhe 17 shtator 2025 janë tri data që shqiptarët do i mbajnë gjatë. Salla e Gjykatës Speciale u “dridh” nga dëshmia e ish-Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, shkruan lajmi.net. Tri ditë marrje në pyetje, Rubin e foli të vërtetën për UÇK-në, luftën e pastër të UÇK-së dhe ish-presidentin e vendit, Hashim…

Lajme

17/09/2025 16:42

15, 16 dhe 17 shtator 2025 janë tri data që shqiptarët do i mbajnë gjatë.

Salla e Gjykatës Speciale u “dridh” nga dëshmia e ish-Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, shkruan lajmi.net.

Tri ditë marrje në pyetje, Rubin e foli të vërtetën për UÇK-në, luftën e pastër të UÇK-së dhe ish-presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Rubin foli për UÇK-në, kompetencat e Thaçit në UÇK, kërkesat e shqiptarëve në Rambuje dhe gjatë negociatave, takimet me Thaçin, akuzat e pretenduara për krime të UÇK-së dhe ua përplasi në fytyrë mënyrën se si po trajtohen ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Ai tregoi se si fjalët që i thoshte Thaçi i kthente në vepra. Rubin po ashtu rrëfeu bisedat mes ish-presidentit të ShBA-ve, Bill Clinton dhe Hashim Thaçi.

Amerikanët dhe britanikët në mbështetje të kërkesës për pavarësi të Kosovës

Në dëshminë e tij, James Rubin tregoi se si në prapavijë amerikanët dhe britanikët e mbështesnin një Kosovë të pavarur, por që s’po ua thonin shqiptarëve.

“Ne, kur themi ne jemi bashkë me Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Blair bashkëpunonte me Clintonin dhe Albright. Ata po na e bënin më të lehtë. Prandaj ne ju bënim thirrje punoni së bashku, por nuk deshëm të ia bënim të ditur se mbështesnim pavarësinë, nuk donim të thoshim se jeni komb ii pavarur, sepse vendi nuk kishte qeveri, ndërkombëtarët nuk e pranonin”, tregoi Rubin.

Takimet në male me Thaçin dhe komandantët e UÇK-së

Ish-Ndihmës Sekretari i Shtetit tregoi se takimet me Hashim Thaçin dhe komandantët e UÇK-së bëheshin në male.

Nuk më kujtohet ekzaktësisht, por mbase 3 ose 4 ditë. Nuk kam qëndruar në Kosovë në fakt, por në një hotel në Shkup, në Maqedoni, dhe çdo mëngjes dërgohesha përmes mjeteve të posaçme në male për t’u takuar me Hashim Thaçin dhe komandantët faktikë të UÇK-së, pra çdo ditë më çonin dhe më merrnin nga aty”, tha ai.

Hedhja poshtë e akuzave se UÇK ka kryer krime

James Rubin dha një deklaratë të fuqishme në Hagë. Ai tha se ShBA nuk kishin gjetur asnjë provë që UÇK ka vrarë apo ekzekutuar njerëz.

Ai në ditën e parë të dëshmisë e tha qartë që akuzat ndaj UÇK-së ishin gjithmonë me prapavijë nga Rusia dhe Serbia.

Kompetencat e Thaçit brenda UÇK-së

James Rubin në dëshminë e tij tregoi se veprimet e Hashim Thaçit gjatë luftës bëheshin në koordinim me komandantët e UÇK-së.

“Unë jam takuar me komandantët, dhe kam parë me sytë e mi marrëdhënien e këtyre komandantëve me Hashimin, ata i thanë atij çfarë të bënte, pra nuk i thoshte Hashimi çfarë të bënin por komandantët i thoshin Hashimit se çfarë të bënte”, tha ai.

Christopher Hill kundër UÇK-së dhe pro LDK-së

James Rubin në dëshminë e tij tre ditore s’pati fjalë të mira për ish-diplomatin amerikan, Christopher Hill.

Rubin tha se Hill ishte kundër UÇK-së dhe se mbante anën e LDK-së.

“Christopher Hill ka qenë i anshëm dhe e kisha vënë re këtë. Ai nuk ishte i paanshëm dhe ishte në favor të LDK-së, kundër UÇK-së.”

“Unë isha i paanshëm. Mua më është kërkuar më udhëheqësin e vetëshpallur të delegacioni. Chris Hill në mënyrë shumë të pamatur ka qenë i anshëm. Është përpjekur të më dëmtoj figurën mua dhe dëmtojë sekretaren Albright duke u thënë se ajo kishte influencuar drejtuesin e delegacionit të UÇK-së në Rambuje dhe në fakt ne e kishim vetëm një objektiv që deshëm ta arrinim atje”, shtoi ish-Ndihmës Sekretari i Shtetit.

Kritika nga Gjykatës Speciale

Në dëshminë e tij, Rubin kritikoi ashpër Gjykatës Speciale dhe trajtimin që po ia bën Thaçit dhe të tjerëve.

Ai tregoi se ka siguruar leje nga DASH për të dhënë dëshmi në Hagë.

“Jam përpjekur të shqyrtoj me aq sa di unë, artikuj me shkrim ose dokumente të cilat janë paraqitur në ekran, e të cilat lehtësisht shfaqen këtu.”

“Rilexova shumë nga materialet, jam takuar edhe me ekipin e Mbrojtjes në Uashington, një ditë të plotë 1 herë ose dy ditë të plota. Kam menduar, kam kaluar pesë vite duke u përgatitur me të. Mendoja nga viti në vit se do hapet gjykimi sot, vitet kalonin dhe asgjë nuk ndodhte. Kam vrarë mendjen sepse u deshën 5 vite për të krijuar një çështje të tillë, ndërkohë aktakuza u ngrit 5 vite përpara”.

“E mbajta mendjen të mbushur dhe kam menduar për orë të tëra për këtë gjykatë. Kam punuar në pjesën ekzekutive të ShBA-së, kam qenë shumë i zënë në profesionin tim, në një periudhë kam qenë këshilltar i Blinkenit.”

“Më duhet të them që për dëshirën time për të qenë i disponueshëm në gjykatë, kam shpenzuar shumë orë, për të siguruar që Departamenti i Shtetit të më lejonte të jepja dëshmi, ishte një barrë për mua”, tha ai.

“Më është dukur si fajësim kolektiv për shkak të faktit se i akuzuari ka qenë udhëheqës i UÇK-së. Duke qenë se i kam parë nga afër liderët e UÇK-së.”

“Duke pasur një ide të mirë të funksionimit të UÇK-së unë për tre ditë e kam pa se si janë sjellë ata, se kush ishin përgjegjës, kush ishte komandanti, kush zëvëndësi.”

“Duke pasur këtë lloj njohurie, unë mendoj kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi. Unë nuk jam jurist me profesion, por kam të drejtë të shpreh me zë të lartë opinionin tim”, tha James Rubin.

Mbajtja e fjalëve nga Hashim Thaçi

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u lavdërua nga James Rubin, pasi ai fjalët e thëna i kthente në vepra.

Rubin tha se Thaçi e donte demokracinë.

“Ai donte një marrëveshje dhe donte demokraci, edhe pse fliste me një gjuhë më komuniste në atë kohë, ishte përmes përkthimit pra pak e vështirë të bëhet vlerësim i saj. Sa i takon bashkëjetesës, shqiptarët e Kosovës kishin jetuar në një regjim shtypës për dekada të tëra, me mijëra ishin vrarë dhe e dija që ai po thoshte atë që ne donim të dëgjonim”.

“Ai donte një marrëveshje dhe donte demokraci, edhe pse fliste me një gjuhë më komuniste në atë kohë, ishte përmes përkthimit pra pak e vështirë të bëhet vlerësim i saj.”

“Sa i takon bashkëjetesës, shqiptarët e Kosovës kishin jetuar në një regjim shtypës për dekada të tëra, me mijëra ishin vrarë dhe e dija që ai po thoshte atë që ne donim të dëgjonim”, tha ai.

Ku qëndronte Hashim Thaçi në luftë?

James Rubin tregoi se shumicën e kohës gjatë luftës, Hashim Thaçi ka qenë brenda territorit të Kosovës.

“Më ka thënë që jo çdo herë, por ishte shpesh në Kosovë i fshehur, duke u ruajtur që të mos vritej, dhe duke ndihmuar organizatën e tij, popullin e Kosovës. Më ka thënë që nuk ka qenë gjithmonë aty, por pjesën më të madhe ka qenë brenda Kosovës”, u shpreh Rubin.

Amerikanët donin që Hashim Thaçi të kthehej në një udhëheqës

Ish-Ndihmës Sekretari i Shtetit, James Rubin tregoi admirimin që amerikanët kishin për Hashim Thaçin. Ai në dëshminë e tij u shpreh se donin që Thaçi të kthehej në një udhëheqës.

“Mendoj se Madeleine Albright, ka zgjedhur fjalët e saj. Ajo nuk ka thënë lideri, por ka thënë një prej liderëve, dhe kjo ka dallim. Pra, lideri i një grupi që udhëhiqte kombin e tij drejt rrugës së lirisë. Kjo është edhe fjala që ka përdorur edhe Clinton.”

“Donim që ai të kthehej në një udhëheqës. Albright tha “një drejtues”, kështu e konsideroja edhe unë, pra një drejtues i delegacionit që ishte zgjedhur nga ai shqiptar. Ai ishte një person si kryetar, një drejtues, udhëheqës, pra në Rambuje. Nëse ka thënë udhëheqës i delegacionit, kjo është e saktë. Të udhëhiqte njerëzit e tij, t’i çonte drejt rrugës së paqes dhe kjo ishte e vështirë, dhe këtë ka dashur ta përcjell edhe Albright, e njihja shumë mirë atë”, u shpreh ai.

Komunikatat e UÇK-së

James Rubin komentoi edhe komunikatat e UÇK-së. Ai tha se këto komunikata ishin më shumë për ta bërë më të rëndësishme UÇK-në.

“Unë e di që kishin uniforma, disa kishin disa jo. Ne nuk i konsideronim ata si komandantë apo shtab i përgjithshëm”.
Në lidhje me komunikatat e UÇK-së, Rubin tha se ka lexuar shumë prej tyre, por tha se i dukeshin si përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme sesa ishte.

“Për mua ishin thjesht manipulime”, shtoi ai.

“Kam lexuar shpesh komunikata [të UÇK], por më dukeshin si përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme se ç’ishte. Për mua ishin thjeshtë manipulime”, tha Rubin.
Dëshminë e tij Rubin e mbylli me këtë fjali: “Dua të them që ishte privilegj për mua të jem këtu, pvarësisht se zgjati pak më shumë, por ishte një përdorim i rëndësishëm i kohës sime”./lajmi.net/