Amerika mund ta sulmojë “Shtetit Islamik” edhe në Siri
Washingtoni zyrtar ka vlerësuar se militantët e organizatës së ashtuquajtur “Shtetit Islamik”, janë bërë kërcënimi më i rrezikshëm i viteve të fundit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjë që ka lënë të kuptohet se lufta kundër militantëve, përveç Irakut, së shpejti mund të shtrihet edhe në Siri.

Bota
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, ka thënë se sulmet ajrore amerikane kanë zmbrapsur përparimin e “Shtetit “Islamik” në Irak, porse sipas tij, pritet që militantët të rigrupohen dhe të përpiqen të zgjerojnë territoret e “shtetit të tyre” të shpallur në territoret e pushtuara në Siri dhe Irak.
Duke folur në një konferencë të organizuar mbi sigurinë kombëtare, Hagel tha se “Shteti Islamik” është një kërcënim i pashmangshëm, dhe se militantët e tij janë një grup terroristësh religjioz dhe të mirë-financuar.
Por gjenerali i lartë amerikan, Martin Dempsey tha se terroristët e “Shtetit Islamik” nuk mund të munden pa u sulmuar edhe bazat e tyre në Siri.
Sulmet ajrore amerikane mbi caqet e “shtetit Islamik” në Irak, që filluan dy javë më parë me autorizim të presidentit Barack Obama, po vazhdojnë me intensitet të shtuar, përkundër kërcënimeve të militantëve se do t’ia presin kokën edhe gazetarit tjetër të zënë rob, ashtu sikurse bënë me kolegun e tij, gazetarin e Global Post, James Foley.
Sekretari Hagel dhe gjenerali Dempsey kanë thënë se sulmet ndaj militantëve islamikë në Irak do të vazhdojnë, por nuk e kanë mohuar as mundësinë e sulmeve ndaj bazave të tyre në Siri, ku që prej tre vjetësh lufta për demokraci degjeneroi në luftë sektesh dhe deri tash ka marrë jetën e 190 mijë sirianëve.
Ndërsa në Irak, që prej qershorit kur filloi ofensiva e militantëve sunni të ISIS-it (Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë, të cilët më pas shpallën kalifatin e tyre, Shtetin Islamik) janë vrarë rreth pesë mijë veta, shumica civilë të komunitetit Yazidi, të krishterë, por edhe myslimanë shiitë.
Po ashtu gjatë kësaj ofensive janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre mbi një milionë irakianë, ndërkohë që mbi 150 mijë pjesëtarë të komunitetit Yazidi ndodhen të ngujuar në male dhe në vendbanimet e kontrolluara nga kurdët.
Që prej 8 gushtit kur kanë filluar sulmet ajrore amerikane, me qëllim shpëtimin e civilëve nga kriza humanitare dhe krimet e ISIS-it, janë kryer mbi 90 sulme ajrore, shumica e tyre në rajonin përreth Mosulit.
Pas marrjes nën kontroll të Digës së Mosulit, forcat kurde dhe ato irakiane, të ndihmuara nga sulmet ajrore amerikane, kanë shpartalluar bazat e militantëve të “Shtetit Islamik” përreth qytetit të dytë më të madh në Irak.