AME dhe UNDP diskutojnë mbështetjen për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet e fundit

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME), Shefki Abdullahu, ka pritur sot në një takim pune përfaqësuesin e përhershëm të UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros. Takimi u mbajt në kuadër të zhvillimeve të fundit lidhur me situatën e vërshimeve në Republikën e Kosovës dhe kishte për qëllim koordinimin e ndihmës…

Lajme

13/01/2026 14:33

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent (AME), Shefki Abdullahu, ka pritur sot në një takim pune përfaqësuesin e përhershëm të UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros.

Takimi u mbajt në kuadër të zhvillimeve të fundit lidhur me situatën e vërshimeve në Republikën e Kosovës dhe kishte për qëllim koordinimin e ndihmës për Agjencinë dhe nivelin lokal në procesin e vlerësimit të situatës në terren, me theks të veçantë në vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e vitit 2026, transmeton lajmi.net.

Gjatë diskutimeve ndërinstitucionale, Abdullahu prezantoi gjendjen aktuale në vend dhe kërkoi mbështetje nga UNDP për ngritjen e kapaciteteve përmes trajnimeve, si për nivelin lokal ashtu edhe për atë qendror, në procesin e vlerësimit të dëmeve.

Nga ana e tij, Queiros shprehu gatishmërinë e menjëhershme të UNDP-së për të ofruar përkrahje me kapacitetet që ka në dispozicion, duke theksuar se mbështetja konkrete do të formalizohet në ditët në vijim.

Po ashtu, UNDP ka ofruar përkrahje të menjëhershme në këmbimin e të dhënave nga vlerësimet e realizuara sipas standardeve ndërkombëtare, proces që pritet të lehtësojë punën e institucioneve qendrore dhe lokale në përcaktimin, verifikimin dhe procedimin e vlerësimit të dëmeve.

Kjo metodologji do të kontribuojë në përshpejtimin e gjithë procesit, nga vlerësimi fillestar deri te kontrolli dhe procedimi për kompensimin e familjeve dhe bizneseve të prekura nga vërshimet e fundit./lajmi.net/