Ambasadorja e Kosovës nuk e din dallimin mes Këshillit të Evropës dhe Këshillit Evropian
Detyrën e saj e kryen në vendin ku operon trupi ekzekutiv i BE-së, Komisioni Evropian, por ambasadores së Kosovës në Bruksel - Mimoza Ahmetaj (më parë ambasadore në Slloveni) - me sa duket i duhet edhe shumë kohë për t’i njohur institucionet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian.

Lajme
Telegrafi merr vesh se në raportin e rregullt që ajo ia ka dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, para disa muajve, përveç gabimeve të shumta gjuhësore e ka bërë edhe një gabim trashanik duke e ngatërruar Këshillin e Evropës me Këshillin Evropian.
Në fakt, ajo e ka keqinformuar Ministrinë e Jashtme të Kosovës lidhur me takimet që ajo i ka mbajtur me drejtuesit e Këshillit Evropian, duke raportuar se drejtuesit e këtyre institucioneve të rëndësishme janë udhëheqëse të Këshillit të Evropës.

Ambasadorja duke dorëzuar letrat kredenciale në Mbretërinë e Belgjikës, në takimin me mbretin Filip, më me 9 janar të këtij viti. Në këtë rast në sy bie veshja e saj e pazakontë. Për më tepër, në emër të veshjes kombëtare ajo ka shkuar në Pallatin Mbretëror e veshur me një fustan që njihet me emrin “dallame” – që në fakt është veshje kombëtare turke dhe jo shqiptare.
Këto raporte vetëm sa e konfirmojnë edhe më shumë faktin se në çfarë gjendje është diplomacia kosovare: e mbushur me militantë partiakë dhe njerëz joprofesionistë të cilët janë “strehuar” nëpër metropole të ndryshme të botës nga ish ministri Enver Hoxhaj, i mbetur tash pa resor ministror në Qeverinë Mustafa.
Ende nuk dihet nëse MPJ edhe pas kësaj ngatërrese profesionale do të ndërmarrë ndonjë masë ndëshkuese për ambasadoren e përfolur edhe më parë për lëshime në detyrën e saj.