Ambasadori i SHBA-së i ofron mbështetje Ministres Bajrami

Ambasadori i SHBA’së në Kosovë, Greg Delawie ka ofruar përkrahjen amerikane për projektet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Lajme

14/09/2015 16:45

Në një takim me Ministren Hykmete Bajrami, Delawie ka thënë se përkrahja amerikane do të jetë e vazhdueshme.

Me këtë rast, Ministrja Bajrami ka folur me Ambasadorin Delawie për projektet e përkrahura nga USAID, për Brezovicën, garantimin e kredive etj.

Bajrami ka thënë se prioritet i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë është fuqizimi i sektorit privat.

Lexojeni të plotë njoftimin e MTI’së për takimin e Ministres me Ambasadorin

Ministrja Bajrami takoi ambasadoren takoi ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, z. Greg Delawie

Prishtinë, 14 shtator 2015

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë znj. Hykmete Bajrami priti sot në takim ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie. Në takim morën pjesë edhe z. James Hope, drejtor i USAID-it për Kosovë.

Ministrja Bajrami e falënderoi ambasadorin Greg Delawie për përkrahjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar Republikës së Kosovës. Dy vendet tona kanë marrëdhënie të mrekullueshme dhe ne jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA ka ofruar në momentet kyçe të Kosovës. Mbi këto marrëdhënie ne duhet të ndërtojmë bashkëpunimin e mëtejshëm ekonomik dhe zgjerimin e shkëmbimeve tregtare, tha ajo, duke falënderuar po ashtu USAID-in për përkrahjen e jashtëzakonshme që ka ofruar për përmirësimin e shumë fushave dhe sektorëve që janë nën përgjegjësinë e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Ministrja Bajrami e informoi ambasadorin me prioritetet e Ministrisë në përkrahjen e zhvillimit të sektorit privat. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka një portofol të rëndësishëm dhe unë jam e përkushtuar për ta bërë këtë institucion një mbështetës të fortë të bizneseve. Me riaktivizimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ne kemi institucionalizuar dialogun me bizneset dhe shoqatat e tyre përkatëse. Në mënyrë që ky Këshilli të jetë më funksional ne kemi themeluar katër grupe punuese të përbëra nga përfaqësues të të gjitha institucioneve relevante për të adresuar çështje të rëndësishme, shtoi ministrja.

Ministrja Bajrami përmendi mbështetjen e USAID-it për të zbatuar Kontratën për qendrën turistike në Brezovicë dhe po ashtu mbështetjen kruciale të USAID-it me projektin e Skemës për Garantimin e Kredive me anë të të cilit do të lehtësohet qasja në financa për bizneset duke siguruar garanci kolaterali deri në 50%.

Ne jemi duke marrë hapa për të përmirësuar infrastrukturën e cilësisë dhe për të ndërtuar kapacitetet e nevojshme në agjencitë përkatëse si: Metrologjia, Akreditimi dhe Standardizimi, tha ajo.

Ministrja Bajrami dhe ambasadori Delawie diskutuan po ashtu edhe për angazhimin e Ministrisë për projekte tjera të rëndësishme që përkrahen nga USAID-i. Ndërsa, ambasadori Delawie tha se vendi i tij është i përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Republikën e Kosovës dhe se përkrahja amerikane për institucionet e Kosovës, do të jetë e vazhdueshme.