Ambasadori i Kosovës në Slloveni, përshkruan ngjarjen e ndaljes së Haradinajt

Nexhmi Rexhepi, ambasador i Kosovës në Slloveni, rrëfen për lajmi.net të gjithë historinë e ndalimit policor të kryetari të AAK-së, Ramush Haradinaj në këtë vend, bazuar në fletë-arrestin e Interpol Serbisë.

Lajme

20/06/2015 10:05

Rexhepi në një intervistë të shkrutër ka treguar për përpjekjet që ai si ambasador i ka bërë për t’iu gjetur Haradinajt gjatë kohës së ndaljes policore.

Ndërsa, ka kërkuar nga populli i Kosovës dhe nga përfaqësues të skenës politike, që mos të ndikohen nga ky rast, për të ndryshuar opinion për Slloveninë në raport me Kosovën.

Lajmi.net: Me çfarë vendimi u lirua z. Haradinaj?

Nexhmi Rexhepi: z. Haradinaj është liruar me vendim të gjykatës themelore në Kranj, si gjykatë e kompetencës territoriale, e cila edhe kishte shqiptuar masën e marrjes së pasaportës dhe po ashtu edhe masën e moslejimit të z. Haradinaj për t’a lëshuar territorin e Sllovenisë, deri në shqyrtimin dhe sqarimin e rrethanave të ndërlidhura me ndalimin.

Lajmi.net: A ka dhënë sqarim gjykata se përse vendimi nuk u mor shpejtë, por z.Haradinaj u desh të qëndronte deri me sot në Slloveni?

Nexhmi Rexhepi: Sigurisht që gjykata nuk ka dhënë sqarime. Por, nga përvoja e MPJ-së me rastet e tjera të ngjashme në të kaluarën, mund të themi se ky ka qenë ndër rastet që është zgjidhur më së shpejti dhe më së lehti për palën e ndaluar.

Lajmi.net: Cili ka qene roli i Ambasadës së Kosovës gjatë këtyre ditëve për rastin Haradinaj?

Nexhmi Rexhepi: Pas njoftimit se z. Haradinaj është ndaluar nga autoritetet sllovene gjatë kalimit transit përmes aeroportit të Lubjanës, ambasada ka marrë gjithë veprimet e nevojshme, duke vënë kontaktet me autoritetet përgjegjëse vendore për sqarimin e situatës së krijuar. Gjatë gjithë kohës, ambasada ka qenë e koordinuar me qendrën, respektivisht me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, për ofrimin e gjithë mbështetjes institucionale deri në sqarimin e plotë të situatës. Fatmirësisht, pavarësisht asaj që ka ndodhur, situata tashmë është qartësuar plotësisht dhe z. Haradinaj i është kthyer pasaporta e tij dhe i është mundësuar vazhdimi i udhëtimit për në Kosovë.

Lajmi.net: Cilat kanë qenë arsyetimet e shtetit slloven për këtë që mund të cilësohet incident në raportet mes dy shteteve mike?

Nexhmi Rexhepi: Mund të themi se, pas asaj që ndodhi në aeroportin e Lubjanës, autoritetet sllovene përgjithësisht kanë qenë korrekte në veprimet e tyre. Arsyeja e vetme, që siç tanimë është publikisht e ditur, ka qenë një fletarresti i vlefshëm ndërkombëtar, i lëshuar nga autoritetet serbe, dhe sipas obligimeve ndërkombëtare, autoritetet e këtushme kanë  qenë të detyruara t’a zbatojnë.

Ne besojmë se marrëdhëniet e mira ndërshtetërore, si dhe lidhjet trandicionale historike mes popujve tanë, duhet parë përtej kësaj çfarë ka ndodhur, pavarësisht sa e padrejtë dhe e pakëndshme të ketë qenë kjo situatë. Edhe opinioni publik slloven nuk e ka përjetuar mirë këtë situatë, por ne tani duhet të shohim përpara, t’i fuqizojmë edhe më tej marrëdhëniet ndërshtetërore me interes reciprok në të gjitha fushat.