Ambasadori i BE-së në Serbi: Zbatimi i Marrëveshjes për normalizim me Kosovën është thelbësor
Ambasadori i BE-së në Serbi, Andreas von Beckerath, ka deklaruar se zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, e arritur në vitin 2023, është thelbësor për përparimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian pret nga Serbia dhe Kosova që të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, të nënshkruar vitin…
Lajme
Ambasadori i BE-së në Serbi, Andreas von Beckerath, ka deklaruar se zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, e arritur në vitin 2023, është thelbësor për përparimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.
Bashkimi Evropian pret nga Serbia dhe Kosova që të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, të nënshkruar vitin e kaluar, ka deklaruar ambasadori i BE-së në Serbi, Andreas von Beckerath, transmeton Paparaci.
Në një intervistë për televizionin publik serb RTS, ai ka theksuar se zbatimi i kësaj marrëveshjeje mbetet një nga çështjet kryesore në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.
“Është e rëndësishme që Serbia dhe Kosova të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, e nënshkruar në vitin 2023”, ka thënë Beckerath, duke shtuar se përparimi i Serbisë do të matet edhe në bazë të përputhshmërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe në bazë të rezultateve të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.
Von Beckerath ka përkujtuar se Komisioni Evropian sërish ka rekomanduar hapjen e Klasterit 3, por vendimin do ta marrin shtetet anëtare në bazë të vlerësimit të reformave dhe përparimit në fushat kyçe, përfshirë dialogun me Kosovën dhe sundimin e ligjit, përcjell Paparaci.
Komisioni Evropian tashmë pesë vjet me radhë rekomandon hapjen e Klasterit 3. Ambasadori i BE-së në Serbi ka thënë se KE edhe në këtë raport ka konstatuar se kushtet teknike për hapjen e tij janë përmbushur.
“Tani u takon shteteve anëtare të marrin një vendim në bazë të mënyrës se si Serbia i ka zbatuar reformat themelore, sundimin e ligjit, por edhe në lidhje me përputhshmërinë me politikën e jashtme dhe të sigurisë, dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndarjen në sektorin e energjisë”, ka shtuar von Beckerath.
Ai ka përsëritur se nuk ka rrugë të shkurtër për anëtarësim në BE, por as kufizim shpejtësie.
“Shpresoj se, nëse ka vullnet të mjaftueshëm politik në Serbi, do të mund të shohim përparim real në të ardhmen e afërt”, ka theksuar von Beckerath.
Duke u ndalur te raporti për përparimin e Serbisë në rrugën evropiane, ambasadori i BE-së në Serbi ka thënë se qëllimi i raportit nuk është të hartojë një listë kritikash.
Sipas tij, është krijuar përshtypja e përgjithshme se ka pasur një ngadalësim të ndjeshëm të reformave, si dhe se Serbia duhet të zbatojë më shumë dhe më shpejt reforma në fusha të ndryshme.
Ai gjithashtu ka porositur se reformat nuk duhet të bëhen për shkak të Brukselit, por për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve.