Ambasadori i ardhshëm gjerman në Kosovë, me përvojë nga Konferenca e Sigurisë së Mynihut
Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, pritet të nisë zyrtarisht mandatin e tij në mes të muajit tetor. Aktualisht, ambasador i Gjermanisë në Kosovë mbetet Jörn Rohde, i cili e ka ushtruar këtë detyrë që nga viti 2020. Lajmi është konfirmuar nga Ambasada e Gjermanisë për lajmi.net, duke bërë të ditur se…

Lajme
Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, pritet të nisë zyrtarisht mandatin e tij në mes të muajit tetor.
Aktualisht, ambasador i Gjermanisë në Kosovë mbetet Jörn Rohde, i cili e ka ushtruar këtë detyrë që nga viti 2020.
Lajmi është konfirmuar nga Ambasada e Gjermanisë për lajmi.net, duke bërë të ditur se Rudolph do të marrë detyrën pas përfundimit të mandatit të ambasadorit Rohde.
Kush është Rainer Rudolph?
Rainer Rudolph vjen me një përvojë të gjatë diplomatike dhe është aktualisht zëvendëskryetar i Konferencës së Sigurisë së Mynihut (MSC) – një prej forumeve më të rëndësishme ndërkombëtare për çështjet e sigurisë globale.
Në karrierën e tij, ai ka shërbyer si zëvendësshef i misionit në Ambasadën e Gjermanisë në Vjenë deri në vitin 2023. Po ashtu ka mbajtur pozita të rëndësishme në Përfaqësinë e Përhershme të Gjermanisë në Bashkimin Evropian në Bruksel, si dhe në ambasadat gjermane në Varshavë dhe Uashington, DC.
Në Berlin, Rudolph ka punuar dy herë në Zyrën Federale të Kancelarisë, përfshirë si shef i divizionit për marrëdhëniet e jashtme të BE-së, zgjerimin e BE-së dhe marrëdhëniet me shtetet anëtare të Unionit.
Rainer Rudolph ka diplomuar në Universitetin e Tübingenit në fushën e Historisë dhe Letërsisë Gjermane. Ai është gjithashtu anëtar bashkëpunëtor (Associate Fellow) në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë (DGAP).
Kurse ambasadori tanimë në largim, Jorn Rohde pritet që në vjeshtën e këtij viti veçse të lë Kosovën dhe misionin e tij në vendin tonë.
Ai është shprehur ditë më parë se Kosovën do e mbaj në zemer cdoherë dhe se është mirënjohës për gjithçka që ka krijuar në këtë vend.
Rohde përpos angazhimit të tij diplomatik, është njohur edhe si ambasadori që ka vizituar e ka promovuar thuajse çdo copëz turistike të Kosovës.
Rohde në të shumtën e rasteve ka promovuar malet e Kosovës, duke vënë në pah faktin se janë të “mrekullueshme për t‘u vizituar./Lajmi.net/