Ambasadori britanik rikonfirmon qëndrimin: Konstituoni Kuvendin, krijojeni qeverinë e re

Britania e Madhe, përmes ambasadorit në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka përsëritur thirrjen drejtuar partive politike në vend për konstituim sa më shpejtë të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re. Konstituimi i Kuvendit ka mbetur sërish në gjysmë. Tash e dy seanca, procesi ka ngecur tek zgjedhja e Nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, që…

Lajme

28/08/2025 16:35

Britania e Madhe, përmes ambasadorit në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka përsëritur thirrjen drejtuar partive politike në vend për konstituim sa më shpejtë të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.

Konstituimi i Kuvendit ka mbetur sërish në gjysmë. Tash e dy seanca, procesi ka ngecur tek zgjedhja e Nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, që dështoi edhe sot pas shortit.

Të pyetur nga Reporteri lidhur me zhvillimet në seancën e sotme dhe të së martës, saktësisht dështimin për zgjedhjen e nënkryetarit, ambasada britanike në Prishtinë ka ripërsëritur qëndrimin e Ambasadorit Jonathan Hargreaves, i cili ka kërkuar që konstituimi i Kuvendit të përfundojë sa më shpejtë, e rrjedhimisht të nisin hapat edhe për krijimin e Qeverisë së re.

Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit është një përparim i mirëpritur dhe tregon se kompromisi politik në interes të vendit është i mundshëm nëse ka vullnet. I bëj thirrje partive të Kosovës që të ndërmarrin hapat e mëtejshëm shpejt, për të përfunduar formimin e Kuvendit dhe të një qeverie të re”, thuhet në deklaratën e Hargreaves.