Ambasadori britanik: Dhuna nxitë dhunën

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairí O'Connell, ka dhënë një pikëpamje për zhvillimet e fundit politike në vend, duke gjykuar veprimet e pozitës dhe Opozitës.

Lajme

16/10/2015 13:13

Ai në një editorial të botuar në të përditshmen “Zëri”, ka thënë se kritikat e partive opozitare për mungesën e sundimit të ligjit, korrupsionit dhe dukurive tjera negative, janë të njëjta me vetë diplomacinë britanike. Por, më pas, ai shprehë një shqetësim të madh me veprimet që këto parti VV, AAK dhe Nisma, po i ndërmarrin për ta shprehur pakënaqësinë.

O’Connell thotë se përdorimi i dhunës, sulmi ndaj pronës publike, përdorimi i gazit lotsjellës në Kuvend dhe veprimet të ngjashme nga Opozita, nuk është mjetë për të përçuar pakënaqësinë e tyre.

 

Editoriali i plotë i ambasadorin britanik Ruairí O’Connell:

Kosova qëndron në një pikë të rëndësishme në demokracinë e saj të re. Populli i Kosovës ka arritur jashtëzakonisht shumë pak vite pas konfliktit, dhe sidomos që nga pavarësia. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme.

Kosova përballet me sfida të mëdha, si afatgjatë ashtu dhe afatshkurtër. Se si udhëheqësit e Kosovës tani do të zgjedhin të përballen me to, do të ndikojë në masë të madhe në të ardhmen e Kosovës. Populli i Kosovës duhet ta ndërtojë kulturën e vet politike, por është me rëndësi jetike që ta bëjë atë në mënyrën e duhur.

Gjatë javës së fundit, unë kam folur me krerët e opozitës, duke përfshirë z. Kurti. Unë e njoh z. Kurti dhe z. Haradinajn për më shumë se dhjetë vjet. Kam kaluar mbrëmjen e Pavarësisë së Kosovës me Fatmir Limajn.

Mesazhi im për ta ka qenë i qartë. Mbretëria e Bashkuar është mike e Kosovës. Ne nuk mbështesim partitë, por ne mbështesim popullin dhe institucionet e Kosovës. Ne bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet e zgjedhura, PDK, LDK, SL dhe 6+ në qeverinë qendrore, “Vetëvendosje”, AAK, AKR dhe të tjerët nëpër komuna, si dhe punojmë me “Nismën” në Kuvend. Megjithatë, ne presim një angazhim minimal në normat e demokracisë. Kjo përfshin respektimin e vullnetit të popullit siç është Parlamenti dhe ku dhuna nuk ka vend.

Partitë opozitare më thonë se shqetësohen për korrupsionin, për sundimin e ligjit, dhe për zbatimin e ligjit në rastet e profilit të lartë. Shqetësohem shumë edhe unë. Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova kanë një interes të përbashkët në rregullimin e sistemit të drejtësisë, në çrrënjosjen e korrupsionit, dhe në ndihmën për të krijuar kushtet që qytetarët e Kosovës të punojnë dhe të ecin përpara këtu.

Unë jam i sigurt se partitë opozitare duan të ndihmojnë Kosovën. Por pastaj aktivistët e tyre fizikisht sulmojnë kundërshtarët politikë në rrugë. Ata bllokojnë Parlamentin. Ata përdorin armët për të imponuar vullnetin e tyre. Ata sulmojnë policët. Ata etiketojnë kundërshtarët politikë si tradhtarë për që kanë biseduar me liderët serbë të Kosovës. Ata pretendojnë, në mënyrë unike, se përfaqësojnë të drejtat e kombit, dhe e përdorin dhunën për të promovuar këto të drejta “kombëtare”.

Kështu që unë duhet të pyes veten, për çfarë vërtet kujdeset opozita? A beson opozita në demokraci apo në përdorimin e forcës? Sepse në qoftë se ajo beson në sundimin e dhunës, ne do ta kundërshtojmë atë.

Dhuna nxit dhunën. Konflikti nxit konfliktin. Dhuna nuk ofron një përgjigje për këto probleme. Kosova ka probleme të vërteta, por kjo lloj sjelljeje vetëm sa i pengon të gjithë nga puna që duhet bërë për zgjidhjen e tyre. Kështu që unë shpresoj se të gjitha palët mund të tregojnë një angazhim të ri për vlerat tona të përbashkëta demokratike, për të respektuar Kuvendin si vendi ku çështjet kyçe me rëndësi kombëtare duhet të debatohen, dhe për të gjetur një zgjidhje ndaj bllokimit të tanishëm./lajmi.net/