“Ambasadorët po mbrojnë organizata kriminale” – VV shpërthen me teori konspirative ndaj QUINT-it dhe drejtësisë
Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë përdorur një gjuhë të papërmbajtur, përçarëse dhe të rrezikshme në adresë të ambasadorëve të vendeve të QUINT-it dhe institucioneve të drejtësisë në Kosovë, pas vendimit për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Anëtari i LVV-së në KQZ, Alban Krasniqi, doli…

Lajme
Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë përdorur një gjuhë të papërmbajtur, përçarëse dhe të rrezikshme në adresë të ambasadorëve të vendeve të QUINT-it dhe institucioneve të drejtësisë në Kosovë, pas vendimit për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Anëtari i LVV-së në KQZ, Alban Krasniqi, doli me akuza të ashpra ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë, duke i akuzuar ata për “mbrojtje të organizatave kriminale” dhe për ndjekje të “interesave të tyre të ngushta politike”, transmeton lajmi.net.
Në një deklaratë me tone të rënda, ai e quajti vendimin e Gjykatës Supreme për refuzimin e ankesës së Vetëvendosjes “koordinim kriminal”, duke sulmuar drejtpërdrejt gjyqtarin Zenel Leka, përmes një analogjie banale me emrin e kryetarit të Listës Serbe.
“Në komunat ku Lista Serbe pretendon të garojë, aty nuk do të ketë demokraci,” tha ai, duke shtuar se “edhe ambasadorët e QUINT-it po i mbrojnë këto organizata kriminale për hesape të tyre.” Krasniqi nuk ofroi asnjë provë për akuzat e bëra, ndërsa i cilësoi vendimet gjyqësore si rezultat i presionit ndërkombëtar.
Ndërkohë, kolegu i tij në KQZ, Sami Kurteshi, shkoi edhe më larg në një intervistë televizive, ku tha se “nuk ka gjykatës apo prokuror në Kosovë që guxon të kundërshtojë një deklaratë të ambasadës amerikane.” Ai e quajti qëndrimin e QUINT-it “hipokrizi arrogante” dhe foli për “ndërhyrje direkte në gjyqësor”.
Këto deklarata janë në linjë me qëndrimet e Albulena Haxhiut, nënkryetare e Vetëvendosjes dhe bashkëshortja e Alban Krasniqit, e cila gjatë një interviste tha se “diplomatët në Kosovë duhet me e kry punën e vet, por jo me ndërhy në punët e të tjerëve,” duke refuzuar në mënyrë të hapur çdo qëndrim të huaj në lidhje me procesin zgjedhor. Ajo e quajti “gabim” deklaratën e ambasadorit gjerman Jörn Rohde dhe shtoi se “nuk mundet me na tregu neve ambasadori gjerman çfarë me bë.”
Ky sulm i koordinuar verbal nga përfaqësues të Vetëvendosjes në institucionet zgjedhore dhe politike të vendit ndaj ambasadorëve ndërkombëtarë dhe gjyqësorit përfaqëson një degradim të rrezikshëm të diskursit politik në Kosovë. Akuzat pa bazë dhe gjuha përjashtuese e përdorur nga zyrtarë të lartë të partisë në pushtet jo vetëm që minojnë besimin publik në institucionet vendore dhe ndërkombëtare, por rrezikojnë të përhapin ndasi të reja në një kontekst të brishtë politik e institucional./lajmi.net/