Ambasadorët e Bashkimit Evropian takojnë Kurtin: Pa dialog me Serbinë nuk ka përparim në integrimin evropian

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav njoftoi se bashkë me ambasadorët e BE-së dhe shefat e misioneve diplomatike në Kosovë është takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar perspektivat për vitin 2026 dhe hapat e ardhshëm në rrugën evropiane të vendit. Orav ka vlerësuar procesin zgjedhor, duke theksuar…

Lajme

14/01/2026 12:05

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav njoftoi se bashkë me ambasadorët e BE-së dhe shefat e misioneve diplomatike në Kosovë është takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar perspektivat për vitin 2026 dhe hapat e ardhshëm në rrugën evropiane të vendit.

Orav ka vlerësuar procesin zgjedhor, duke theksuar se ai pasqyron një përkushtim të fortë ndaj parimeve demokratike, ndërsa ka nënvizuar rëndësinë e formimit të shpejtë të institucioneve të reja.

“Një qeveri e formuar pa vonesa është thelbësore për të ruajtur momentum-in reformues dhe për të avancuar agjendën evropiane të Kosovës,” është shprehur Orav në një postim në “X”.

Ai bëri thirrje po ashtu për ratifikimin e shpejtë të marrëveshjeve që lidhen me Planin e Rritjes së BE-së, duke theksuar se përfitimet do të jenë të drejtpërdrejta për qytetarët.

“Ratifikimi i shpejtë i marrëveshjeve të Planit të Rritjes do të mundësojë që përfitimet konkrete të arrijnë sa më shpejt te qytetarët e Kosovës,” ka deklaruar shefi i Zyrës së BE-së.

Në këtë kontekst, Orav ka riafirmuar se dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet thelbësor për progresin e të dyja palëve drejt integrimit evropian.

“Dialogu për normalizim mbetet një element i domosdoshëm për përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugët e tyre drejt Bashkimit Evropian,” ka përfunduar ai./Lajmi.net/