Ambasada gjermane reagon pas sulmeve të Kurtit e VV-së ndaj Kushtetueses: Respektojeni pavarësinë e Gjykatës, mos ndërhyni

Ambasada Gjermane në Prishtinë ka lëshuar një reagim për media pas deklaratave dhe sulmeve të fundit të Lëvizjes Vetëvendosje në adresë të Gjykatës Kushtetuese. Në deklaratë, ambasada nënvizon rëndësinë e pavarësisë gjyqësore si një gur themeli i sundimit të ligjit, duke kërkuar që partitë politike dhe institucionet të përmbahen nga çdo ndërhyrje, përfshirë edhe sulmet…

Lajme

09/09/2025 11:44

Ambasada Gjermane në Prishtinë ka lëshuar një reagim për media pas deklaratave dhe sulmeve të fundit të Lëvizjes Vetëvendosje në adresë të Gjykatës Kushtetuese.

Në deklaratë, ambasada nënvizon rëndësinë e pavarësisë gjyqësore si një gur themeli i sundimit të ligjit, duke kërkuar që partitë politike dhe institucionet të përmbahen nga çdo ndërhyrje, përfshirë edhe sulmet personale, raporton lajmi.net

“Ambasada Gjermane në Prishtinë thekson rëndësinë e pavarësisë gjyqësore si një gur themeli i sundimit të ligjit. Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe institucioneve në Kosovë që të respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjithë gjyqësorit dhe të përmbahen nga çdo ndërhyrje, përfshirë sulmet personale”, thuhet në reagim.

Kurti teksa u porpozua nga VV si mandatar për të udhëhequr me Qeverinë, ai dje e ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për ato që i ka quajtur vonesa në marrjen e vendimeve gjatë mandatit të tij, dhe e ka akuzuar këtë institucion si të njëanshëm, përkatësisht të afërt me partitë shqiptare që ishin në opozitë.

“Derisa Qeveria punon çdo ditë për qytetarët, Gjykata Kushtetuese vazhdon të vonojë vendime jetike, duke bllokuar reforma, duke shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta për demokracinë, për qytetarët, për zhvillimin e vendit”, tha ai.

Kujtojmë se deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë nisur seancën konstituive më 15 prill. Ajo është vazhduar me muaj dhe situata vazhdon të jetë e paqartë. Kushtetuesja ka dalë tri herë me vendime brenda kësaj periudhe.

Në momentin që Kuvendi konstituohet, presidentja e vendit obligohet që të nominojë partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e Qeverisë.

Në këtë pikë nuk ekziston një afat i saktë, por vendimet në fuqi përcaktojnë që procesi duhet të zhvillohet “sa më parë që të jetë e mundur”.

Kabineti duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve brenda këtij afati. Por, nëse kjo nuk ndodh, presidentja është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.

Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit./Lajmi.net/