Ambasada gjermane i kërkon Kurtit të mos i ndërtojë urat mbi Ibër – i sugjerojnë të investojë në arsim dhe sigurime shëndetësore
Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, nga Shkupi sot do të shkojë drejt në Mitrovicë për hedhjen e gurthemeleve të dy urave paralele me atë të urës kryesore mbi Ibër. Këtë lëvizje Kurti po e ndërmerr pavarësisht thirrjeve të Brukselit për përmbajtje. Të njëjtës thirrje i bëri jehonë edhe ambasada gjermane në Kosovë, e cila thotë…

Lajme
Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, nga Shkupi sot do të shkojë drejt në Mitrovicë për hedhjen e gurthemeleve të dy urave paralele me atë të urës kryesore mbi Ibër. Këtë lëvizje Kurti po e ndërmerr pavarësisht thirrjeve të Brukselit për përmbajtje.
Të njëjtës thirrje i bëri jehonë edhe ambasada gjermane në Kosovë, e cila thotë se “potencialisht” mund të ketë përshkallëzim në veri të vendit. Gjermanët i sugjerojnë Kurtit që ‘burimet e pakta publike’ t’i riorientojnë në sfida shumë më urgjente.
Ambasada gjermane në një përgjigje për Gazetën Express i ka bërë thirrje qeverisë në detyrë të Kosovës për përmbajtje në lidhje me ndërtimin e dy urave mbi Ibër – paralelisht me urën kryesore, gurthemeli i së cilave do të hidhet sot pasdite.
“Ne e mbështesim plotësisht thirrjen e Bashkimit Europian drejtuar autoriteteve kosovare që të përmbahen nga ndërtimi i dy kalimeve të reja të lumit Ibër në Mitrovicë. Në vend të veprimeve të pakoordinuara dhe potencialisht përshkallëzuese, siç është ndërtimi i dy urave të tjera, duhet të adresohen sfida shumë më urgjente”, tha një zëdhënës i ambasadës gjermane.
Ambasada e udhëzoi qeverinë në detyrë që në vend të këtyre lëvizjeve t’i investojë paratë në gjëra që e rrisin mirëqenien e qytetarëve.
“Riorientimi i burimeve të pakta publike të Kosovës drejt prioriteteve sociale të vetë qeverisë do të sillte përfitime shumë më të mëdha. Futja e sigurimit shëndetësor universal do të zgjeronte qasjen në kujdes dhe do të mbronte familjet nga kostot e larta mjekësore; rritja e shpenzimeve për arsim në nivelet mesatare europiane dhe rajonale do t’i përgatiste më mirë të rinjtë për tregun e punës; dhe forcimi i rrjeteve të sigurisë sociale do të nxiste kohezionin në të gjitha komunitetet dhe do t’i mbronte familjet nga goditjet ekonomike”, tha ambasada gjermane.
Ajo i kërkoi Qeverisë së Kosovës, që duke punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, të riorganizojë buxhetin e saj rreth këtyre objektivave të kahershme, duke shtuar se Gjermania do të ndihmojë në këtë drejtim.
“Një ndryshim i tillë do të sillte përmirësime të prekshme në jetën e përditshme, do të përforconte stabilitetin dhe do të hapte rrugën për prosperitet të qëndrueshëm. Gjermania vazhdon të jetë e gatshme të ndihmojë Kosovën në arritjen e këtyre qëllimeve”.
Ndërtimi i këtyre dy urave u pa si përpjekje nga ana e Qeverisë së Kurtit për të zëvendësuar planin e dështuar për hapje të Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve, e cila s’u përkrah nga bashkësia ndërkombëtare.
Verën e vitit të kaluar në Urën e Ibrit nisën procedura për testimin e fuqisë mbajtëse të urës së Ibrit, si hap para hapjes së saj për qarkullim të automjeteve dhe atje u dërguan kamionë me pesha të rënda.
Për hapjen e Urës së Ibrit, ndërkombëtarët kërkuan që ajo të diskutohet në tavolinën e dialogut dhe po të njëjtin qëndrim kishte mbajtur edhe KFOR, i cili është i vendosur në këtë urë.
Megjithatë, këto përpjekje përfunduan pa ndonjë rezultat.