Ambasada e Kosovës në Zagreb: Pritje deri në katër orë në kufijtë e Kroacisë, mërgimtarëve u bëhet thirrje për kujdes

Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb ka njoftuar se fluksi i madh i udhëtarëve ka shkaktuar pritje të gjata në pikat kufitare të Kroacisë, si dhe kolona të gjata në autostrada, duke u bërë apel bashkatdhetarëve që të planifikojnë me kujdes udhëtimet e tyre. Sipas njoftimit, në të gjitha pikat kufitare ndërkombëtare në Kroaci…

Lajme

02/08/2026 14:31

Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb ka njoftuar se fluksi i madh i udhëtarëve ka shkaktuar pritje të gjata në pikat kufitare të Kroacisë, si dhe kolona të gjata në autostrada, duke u bërë apel bashkatdhetarëve që të planifikojnë me kujdes udhëtimet e tyre.

Sipas njoftimit, në të gjitha pikat kufitare ndërkombëtare në Kroaci po zbatohet Sistemi Evropian i Hyrje/Daljes (EES), i cili regjistron automatikisht të dhënat personale, dokumentet e udhëtimit, si dhe kohën e hyrjes dhe daljes së shtetasve të vendeve të treta, shkruan lajmi.net.

Ambasada bën të ditur se, përmes atasheut të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Sefadin Kuçi, është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet policore kroate, të cilat po ndërmarrin masa për të menaxhuar fluksin e automjeteve në pikat kufitare.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara më 2 gusht në orën 11:58, në pikën kufitare Karasovići, në kufirin mes Kroacisë dhe Malit të Zi, pritjet për hyrje zgjasin deri në katër orë, ndërsa në dalje raportohen kolona disa kilometra të gjata dhe pritje disaorëshe. Edhe në pikën kufitare Vitaljina, pritjet në dalje arrijnë rreth katër orë.

Ndërkohë, në pikën kufitare Bajakovo, në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë, pritjet arrijnë deri në tre orë.

Për shkak të situatës, kryetari i Komunës së Konavlës ka aktivizuar Shtabin e Mbrojtjes Civile, ndërsa banorëve u është kërkuar të shmangin udhëtimet e panevojshme me automjete. Policia po devijon qarkullimin në rrugë alternative, ndërsa banorët lokalë po ndihmojnë udhëtarët duke shpërndarë ujë dhe duke ofruar përdorimin e tualeteve.

Ambasada njofton gjithashtu se në pothuajse të gjitha autostradat e Kroacisë janë krijuar kolona të gjata, ndërsa kufizimet infrastrukturore në disa ura po ndikojnë edhe në qarkullimin e automjeteve të rënda.

Situata ka shkaktuar vonesa edhe në transportin publik. Sipas njoftimit, bashkatdhetarët që kanë përdorur shërbimet e Stacionit të Autobusëve në Zarë kanë raportuar vonesa që arrijnë deri në tre orë.

Në fund, Ambasada e Republikës së Kosovës në Zagreb u ka rekomanduar udhëtarëve dhe transportuesve që, gjatë planifikimit të udhëtimeve, të marrin parasysh vonesat dhe kufizimet aktuale në pikat kufitare dhe në rrjetin rrugor të Kroacisë. /Lajmi.net/

<