Ambasada e Kosovës bashkon pozitën dhe opozitën në Shqipëri

Ambasada e Kosovës në Tiranë ka organizuar një pritje pasditen e sotme në prag të 7 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit tonë. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin mjaft personalitete të politikës shqiptare, por edhe përfaqësues të diplomacisë dhe mediumeve, si dhe shumë figura të tjera të cilat kanë dhënë kontribut të çmuar në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008. 

Lajme

11/02/2015 21:36

Pothuajse në asnjë aktivitet kohët e fundit nuk ishin parë të merrnin pjesë së bashku liderët e së majtës dhe së djathtës shqiptare, kryeministri Edi Rama, ish- kryeministri Sali Berisha, kreu i PD-së Lulzim Basha, presidenti Bujar Nishani apo kreu i Kuvendit Ilir Meta.

Fjalën e parë përshëndetëse në prag të përvjetorit të shtatë të Pavarësisë së Kosovës e mbajti i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Tiranë, Ramiz Lladrovci i cili falënderoi të gjithë për kontributin që i kanë dhënë Kosovës në të kaluarën e saj.

Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili dje dhe sot qëndroi për vizitë zyrtare në Shqipëri.

Veseli shprehu mirënjohjen për Shqipërinë dhe Perëndimin për kontributin që ato kanë dhënë për çlirimin e Kosovës, ndërsa tha se e ardhmja e Kosovës është në familjen e madhe evropiane.

“Është një ditë e madhe e nderimit dhe respektit për miqtë tanë ndërkombëtarë, në radhë të parë nga bota perëndimore, që në vitet tona më të vështira përkrahën kauzën tonë të lirisë dhe pavarësisë. Shqipëria gjithmonë ka qenë një strehë e sigurt dhe përkrahëse e pakursyer dhe një burim frymëzimi për lëvizjen tonë çlirimtare dhe pavarësinë e Kosovës. Në këto 7 vite Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në të gjitha fushat e konsolidimit të shtetit, por ende kemi shumë sfida të mëdha. Qytetarët e Kosovës me të drejtë presin më shumë nga ne dhe ne të gjithë bashkë kemi të gjithë potencialin real që të ecim përpara me zhvillimin më të shpejtë ekonomik dhe me agjendën e integrimeve evropiane, si gjithmonë kemi edhe mbështetjen e fuqishme për këtë nga partnerët tanë perëndimorë. E ardhmja jonë është e sigurt në familjen e madhe të vlerave evropiane”, tha Veseli.

(Kosovapress)