Britania i bën thirrje Serbisë të sjellë para drejtësisë Radoiçiqin e autorët e tjerë të sulmit në Banjskë

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka kujtuar sot sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Në një deklaratë publike, ambasada britanike shpreh dhimbjen për humbjen e Bunjakut dhe nderon profesionalizmin dhe guximin e Policisë së Kosovës në rimëkëmbjen e rendit dhe…

Lajme

24/09/2025 09:21

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka kujtuar sot sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në një deklaratë publike, ambasada britanike shpreh dhimbjen për humbjen e Bunjakut dhe nderon profesionalizmin dhe guximin e Policisë së Kosovës në rimëkëmbjen e rendit dhe sigurisë gjatë asaj dite tragjike, transmeton lajmi.net.

“Ne vazhdojmë të vajtojmë humbjen e zyrtarit të policisë Afrim Bunjaku gjatë sulmit,” thuhet në deklaratë. “Ne i bëjmë nder profesionalizmit dhe trimërisë së Policisë së Kosovës për veprimin e tyre për të rivendosur rendin më 24 shtator 2023, si dhe prokurorëve të Kosovës për punën e durueshme në ndërtimin e aktakuzës.”

Ambasada britanike thekson se, edhe dy vite pas sulmit, autorët nuk janë sjellë para drejtësisë. Mes tyre përmendet edhe Milan Radoiçiq, i cili publikisht ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit.

“Autorët, përfshirë Milan Radoiçiqin, ende nuk janë arrestuar dhe sjellë para drejtësisë. Ne përsërisim thirrjen tonë që autoritetet serbe të veprojnë sa më shpejt që të jetë e mundur,” përfundon deklarata.

Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Ky sulm u dënua gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare./lajmi.net/