Alves kërkon falje

Dani Alves i ka kërkuar falje tifozëve të Barcelonës pas disfatës nga Real Madrid në finalen e Copa del Rey. Mbrojtësi brazilian thotë se gjiganti katalan është duke kaluar një vit shumë të çuditshëm.

Sport

17/04/2014 17:36

Daniel Alves i ka kërkuar falje tifozëve të Barcelonës pas humbjes 2:1 në finalen e Copa del Rey nga Real Madrid.

Ylli brazilian ka pranuar se goli i fitores nga Gareth Bale ishte goditje e rëndë për Barcelonën në atë që ai e përshkruan si “vit shumë i çuditshëm” për gjigantin katalan.

“I kërkoj falje atyre që erdhën për të na përkrahur. Është mëkat që humbëm”, deklaroi Alves për uebfaqen zyrtare të Barcelonës.

“Kur ne ishim në periudhën më të mirë, ata shënuan golin e dytë dhe ne nuk ishim në gjendje të kundërpërgjigjemi. Ky ekip ka shumë vlera dhe punojmë shumë. Por, ka qenë një vit shumë i çuditshëm për ne”, shtoi ai.

Barcelona ka humbur tri ndeshje të njëpasnjëshme në tri gara të ndryshme, pas disfatave nga Atletico Madrid në Ligën e Kampionëve dhe Granada në La Ligë.

Ata do të jenë në kërkim të fitores të dielën kur presin Athletic Bilbaon në Camp Nou, në përpjekje për të ringjallur shpresat e mbrojtjes së titullit në La Ligë.