Altin Krasniqi nga protesta thirrje partive: T’i lëmë anash dallimet politike, të bashkohemi dhe të vazhdojmë kërkimin e drejtësisë
Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka bërë thirrje për unitet dhe vazhdim të përpjekjeve për drejtësi pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë fjalimit të tij para protestuesve, Krasniqi u shpreh se vendimi i gjykatës, sipas tij,…
Lajme
Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka bërë thirrje për unitet dhe vazhdim të përpjekjeve për drejtësi pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë fjalimit të tij para protestuesve, Krasniqi u shpreh se vendimi i gjykatës, sipas tij, nuk duhet parë vetëm në kontekstin e katër personave të dënuar, por edhe në raport me historinë dhe sakrificat e shqiptarëve të Kosovës, transmeton lajmi.net.
“Ju falënderoj nga zemra për mbështetjen e vazhdueshme. Jam para jush jo vetëm si biri i një njeriu që po përballet me këtë padrejtësi, por si biri i këtij populli. Lufta jonë ka qenë për liri, për dinjitet, luftë e një populli që për dekada ka qenë i përbuzur.
Ajo që ndodhi në Hagë nuk është çështje ndaj katër individëve. Ky aktgjykim prek një histori të madhe, prek sakrificën e çdo dëshmori, çdo veterani, çdo të burgosuri politik e çdo të zhdukuri, e çdo fëmije që nuk arriti ta shijojë Kosovën e lirë.
Sot nuk do të dorëzohemi. Nëse dorëzohemi sot, do të na gjykojë edhe e ardhmja. Do të na pyesin fëmijët tanë se çfarë bëtë kur historia iu vuri në bankën e të akuzuarve, çfarë bëtë kur çlirimtarët u vunë në pikëpyetje. Përgjigjja jonë do të jetë e qartë: NUK U DORËZUAM.
Do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi!
Prandaj, sot i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve dhe të gjitha partive politike t’i lëmë anash dallimet politike, të bashkohemi”, tha Krasniqi./lajmi.net/