Alijaj: Mes LVV-së dhe PDK-së mund të jetë mbyllur përfundimisht dera e bashkëpunimit
Eksperti për qeverisje dhe procese politike, Artan Alijaj, ka deklaruar se mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës mund të jetë mbyllur përfundimisht dera e bashkëpunimit. Duke folur për koalicionet e mundshme pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, Alijaj ka thënë se një marrëveshje politike mes LVV-së dhe PDK-së duket pothuajse e…
Lajme
Eksperti për qeverisje dhe procese politike, Artan Alijaj, ka deklaruar se mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës mund të jetë mbyllur përfundimisht dera e bashkëpunimit.
Duke folur për koalicionet e mundshme pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, Alijaj ka thënë se një marrëveshje politike mes LVV-së dhe PDK-së duket pothuajse e pamundur, sidomos pas incidentit të ndodhur në Skenderaj dhe gjuhës denigruese që, sipas tij, po përdoret nga të dyja palët gjatë fushatës parazgjedhore.
“Unë mendoj se mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës është mbyllur përfundimisht dera e bashkëpunimit dhe se do të jetë pothuajse e pamundur të arrihet ndonjë marrëveshje kompromisi pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Duke pasur parasysh ngjarjen e fundit në Skenderaj dhe denigrimin e fjalorit që po bëhet nga të dyja palët, për mua një marrëveshje e tillë duket gati e pamundur. Ka qenë shumë e vështirë edhe në të kaluarën të parashikohej një koalicion mes LVV-së dhe PDK-së, dhe mendoj se edhe kësaj here do të jetë shumë e vështirë”, ka deklaruar Alijaj në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Sa i përket mundësisë së një koalicioni mes LVV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alijaj ka vlerësuar se gjasat janë të ulëta, duke marrë parasysh qëndrimet e LVV-së dhe të Albin Kurti lidhur me kandidaturën e LDK-së për president.
“E dimë qartë që disponimi i LVV-së dhe i Kurtit është që të ketë një president tjetër dhe jo Vjosa Osmani. Ndërsa kandidatura e LDK-së për president është Osmani, prandaj besoj se me atë propozim nuk kanë çfarë të kërkojnë në tavolinë me LVV-në. Nëse e shohim qëndrimin e Kurtit dhe të LVV-së, ata kërkojnë një kandidat konsensual, gjë që nuk u arrit as tani dhe dyshoj se do të arrihet edhe në qershor. Mbetet të shihet rezultati zgjedhor, i cili do të jetë shumë i rëndësishëm dhe përcaktues, por gjasat për një marrëveshje mbeten të ulëta”, ka thënë Alijaj.