Aleanca akuzon Vetëvendosjen për rrjete të profileve të rreme, kërkon hetim nga Prokuroria

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës që të hetojnë dhe ndjekin penalisht personat që, sipas saj, organizojnë ose marrin pjesë në rrjete të profileve të rreme dhe fushata të koordinuara të dezinformimit. Në një reagim të publikuar nga kjo parti, AAK ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka…

Lajme

27/07/2026 15:20

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka kërkuar nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës që të hetojnë dhe ndjekin penalisht personat që, sipas saj, organizojnë ose marrin pjesë në rrjete të profileve të rreme dhe fushata të koordinuara të dezinformimit.

Në një reagim të publikuar nga kjo parti, AAK ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka ndërtuar një kulturë politike të bazuar në përdorimin e profileve të rreme, dezinformimit dhe linçimit politik.

Sipas AAK-së, qëllimi i këtyre fushatave nuk është vetëm elektoral, por edhe “delegjitimimi i të arriturave të shtetit të Kosovës, rrënimi i besimit të qytetarëve në institucione dhe ulja e besimit në aleatët strategjikë”.

AAK ka theksuar se demokracia duhet të mbrohet përmes sundimit të ligjit dhe përgjegjësisë, duke kërkuar që çdo person i përfshirë në veprime të tilla të përballet me pasojat ligjore, pavarësisht lidhjeve politike.

“Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, pavarësisht lidhjeve politike”, thuhet në reagimin e AAK-së.