Albulena Haxhiu: Moscertifikimi i Listës Serbe është fitore për demokracinë dhe sigurinë në Kosovë

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, duke e cilësuar këtë vendim si një “fitore të rëndësishme për demokracinë, për integritetin e procesit zgjedhor dhe për sigurinë qytetare e shtetërore”. Sipas saj, Lista Serbe…

Lajme

21/08/2025 19:43

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale, duke e cilësuar këtë vendim si një “fitore të rëndësishme për demokracinë, për integritetin e procesit zgjedhor dhe për sigurinë qytetare e shtetërore”.

Sipas saj, Lista Serbe në mënyrë të përsëritur ka vepruar kundër rendit demokratik dhe parimeve kushtetuese të Republikës së Kosovës. Ajo theksoi se ky subjekt politik nuk përfaqëson interesin qytetar, por është “dorë e zgjatur e Vuçiqit”, transmeton lajmi.net

“Sulmi terrorist në Banjskë, i organizuar nga kryetari faktik i saj, kryekrimineli Milan Radoiçiq, është një nga aktet terroriste ndaj të cilave Republika e Kosovës vepron me vendosshmëri,” tha Haxhiu, duke argumentuar se moscertifikimi i Listës Serbe është vendim i drejtë dhe legjitim.

Ministrja shtoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara të sigurojnë një proces zgjedhor të drejtë dhe demokratik, ku “pjesëmarrja politike është e mundur vetëm për subjektet që respektojnë ligjin, Kushtetutën dhe sovranitetin e vendit”.

Postimi i plotë: 

Vendimi për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale përbën një fitore të rëndësishme për demokracinë, për integritetin e procesit zgjedhor dhe për sigurinë qytetare e shtetërore.
Lista Serbe, në mënyrë të përsëritur, ka vepruar kundër parimeve kushtetuese dhe ka cenuar rendin demokratik të Republikës së Kosovës.
Lista serbe ka dëshmuar që nuk synon përfaqësimin qytetar, por që është dorë e zgjatur e Vuçiqit.
Sulmi terrorist në Banjskë i organizuar nga kryetari faktik i saj, kryekrimineli Milan Radoiçiq, është një nga aktet terroriste ndaj të cilave Republika e Kosovës vepron me vendosshmëri.
Moscertifikimi i saj është vendim i drejtë, legjitim dhe në përputhje të plotë me parimet kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe se është garant që zgjedhjet në Kosovë do të jenë shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve, pa ndërhyrje të jashtme dhe pa presione nga struktura të kriminale.
Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për të siguruar një proces zgjedhor të drejtë, gjithëpërfshirës dhe demokratik, ku pjesëmarrja politike është e mundur vetëm për subjektet që respektojnë ligjin, Kushtetutën dhe sovranitetin e vendit./lajmi.net/