Albulena Haxhiu dekreton ligjin për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka dekretuar disa ligje të rëndësishme, përfshirë edhe Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes. Përmes një postimi publik, Haxhiu tha se ligjet e dekretuara prekin fusha të ndryshme që lidhen me jetën e qytetarëve dhe funksionimin…

Lajme

08/05/2026 13:25

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka dekretuar disa ligje të rëndësishme, përfshirë edhe Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.

Përmes një postimi publik, Haxhiu tha se ligjet e dekretuara prekin fusha të ndryshme që lidhen me jetën e qytetarëve dhe funksionimin e shtetit, transmeton lajmi.net.

“Kam dekretuar shpalljen e një sërë ligjesh të rëndësishme për qytetarët dhe për Republikën”, ka shkruar ajo, duke përmendur edhe ligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe marrëveshjet financiare me Bashkimin Evropian dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim.

Ajo theksoi se ligjet kanë vlerë kur ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe në forcimin e shtetit.

“Ligjet marrin peshë kur shndërrohen në shërbim për qytetarin dhe në forcim të Republikës”, u shpreh Haxhiu.

Kuvendi i Kosovës kishte ratifikuar Projektligjin për anëtarësimin në Bordin e Paqes më 24 prill, me 103 vota për dhe pa asnjë votë kundër apo abstenim.

Kosova tashmë është pjesë e iniciativës ndërkombëtare që lidhet me misionin paqeruajtës në Gazë. Më herët, ish-presidentja Vjosa Osmani kishte bërë të ditur në Washington se Kosova është ndër shtetet e para që është zotuar për dërgimin e trupave paqeruajtëse në kuadër të forcës ndërkombëtare për sigurinë në Gazë.

Bordi i Paqes është një mekanizëm ndërkombëtar i përbërë nga 27 anëtarë dhe është pjesë e planit të presidentit amerikan Donald Trump për menaxhimin e situatës në Gazë pas armëpushimit./lajmi.net/