Albin Kurti me ftesë të re, por Bedri Hamza i përgjigjet me letër: Ne mbesim në opozitë, konstituoni kuvendin në përputhje me afatet
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i ka çuar letër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e falënderuar për ftesën e re që ia bëri për takim, derisa ka përsëritur qëndrimin e tij që tha se ia ka shprehur në takimin e 10 korrikut për të mbetur në opozitë. Hamza në këtë letër thotë se PDK…
Lajme
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i ka çuar letër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e falënderuar për ftesën e re që ia bëri për takim, derisa ka përsëritur qëndrimin e tij që tha se ia ka shprehur në takimin e 10 korrikut për të mbetur në opozitë.
Hamza në këtë letër thotë se PDK ka marrë këtë vendim për shkak të dallimeve programore e konceptuale që kanë me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Për shkak të dallimeve tona programore dhe konceptuale, Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj në opozitë, brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës. Aty do ta japim kontributin tonë për forcimin e demokracisë, mbrojtjen e interesit shtetëror dhe përfaqësimin e interesave të qytetarëve”, shkruan Hamza në letër.
Gjithashtu Hamza në këtë letër ka kërkuar nga Kurti që sot të marrë hapat e nevojshëm dhe të përmbyllë procesin e konstituimit të Kuvendit.
“Nga ju kërkojmë që sot, në përputhje me afatin e përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, të ndërmerrni hapat e nevojshëm për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit dhe t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja”.
Në fund, Hamza tha se Partia Demokratike e Kosovës do të japë kontributin e saj për konstituimin e Kuvendit Republikës së Kosovës.
Ndryshe deri më tani nuk ka pasur asnjë njoftim për ndonjë seancë që pritet të zhvillohet sot duke pas parasysh ndërprerjen e djeshme e që la pa konstituuar Kuvendin./Lajmi.net/
