Albin Kurti i la jashtë ekzekutivit dy më të kritikuarit e qeverisë “Kurti 1”
Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi dhe ish-ministri i Integrimeve Evropiane Blerim Reka kanë qenë dy nga politikanët më të kritikuar që mbajtën poste udhëheqëse në ekzekutiv gjatë qeverisë Kurti 1.

Lajme
Duket se kritikat ndaj tyre kanë ndikuar që tani asnjëri prej tyre nuk është pjesë e qeverisë “Kurti 2”, pavarësisht se shumica e personave që kanë marrë poste udhëheqëse në qeverinë Kurti 2 janë të njëjtit me ata në Kurti 1, shkruan lajmi.net.
Albulena Haxhiu është kthyer në Ministrinë e Drejtësisë e Arben Vitia në Ministrinë e Shëndetësisë, Xhelal Sveçla nga zëvendësministër e u.d i ministrit të Punëve të Brendshme në qeverinë Kurti 2 është emëruar direkt ministër. Njëjtë ka ndodhur me Glauk Konjufcën të cilit kësaj radhe nuk iu desh të dorëhiqej nga posti i Kryetarit të Kuvendit.
Pavarësisht bartjes së ministrave nga qeveria “Kurti 1” në qeverinë “Kurti 2”, më të kritikuarit, Abazi e Reka shihet se nuk janë pjesë e përbërjet së ekzekutivit.
Ishte një deklaratë e ish-ministrit të Integrimeve, Blerim Reka lidhur me marrëveshjen Kosovë – Serbi ajo që bëri bujë të madhe dhe ngjalli reagime të shumta duke kërkuar shkarkimin dhe dorëheqjen e tij.
“Në vend të kësaj që po flitet, apo që po kualifikohet se kinse duhet dhënë territor Serbisë, unë e kam një ofertë tjetër. Ne mund t’ia japim korridorin transit Serbisë për dalje në Detin Adriatik, përmes Kosovës, përmes autostradës të Kosovës, në Durrës. Dhe më duket se është një kompromis fer për Serbinë”, ka thënë Reka në një intervistë në Televizionin Publik.
Reagimi më i ashpër ndaj kësaj deklarate erdhi nga Partia Demokratike e Kosovës të cilët kërkuan nga Lëviza Vetëvendosje dhe nga Albin Kurti shkarkimin e ministrit Reka gjë që nuk ndodhi kurrë.
“Si kompromis për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, Ministri i Vetëvendosjes ka propozuar që Serbisë t’i hapet korridori për daljen në Detin Adriatik. Kjo ide e Ministrit të Vetëvendosjes është rehabilitim i të gjitha përpjekjeve historike serbe, që nga Naçertanje, luftërat ballkanike, projektet e Nikola Pashiqit, Jovan Cvijiqit, e Ivo Andriçit, për ta zhbërë jo vetëm Kosovën, por edhe shtetin shqiptar. Ideologu serbomadh Cvijiq, duke dashur ta arsyetonte aneksimin e Shqipërisë së Veriut dhe daljen në Detin Adriatik, e kishte quajtur këtë hap si interes ekonomik dhe domosdoshmëri anti-etnografike”, thuhej në reagimin e PDK-së.
Në anën tjetër, ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi u kritikua ashpër edhe kur u emërua në postin e zëvendësit të Kurtit aso kohe, por edhe veprimet e tij sa ishte pjesë e ekzekutivit bënë që të ishte shumë i kritikuar.
Kritikat ndaj Abazit ndikuan edhe në numrin e votave që ai mori në zgjedhjet e 14 shkurtit. Ai mori pak më shumë se 7,600 vota dhe kështu u bë deputeti më së paku i votuar i LVV-së.
Sa ishte pjesë e ekzekutivit por edhe më vonë, Abazi u akuzua se kishte vizituar fshehurazi Dhomën e Përgjimeve në Postën e Kosovës së bashku me ish-u.d të ministrit të Punëve të Brendshme, tash ministër i Brendshëm, Xhelal Sveçlën dhe Albin Kurtin.
Abazi gjithashtu u kritikua ashpër edhe për paraqitjet e tij televizive dhe deklaratat e tij, por më tej u raportua edhe për një zyrë të tijën në Serbi – gjë për të cilën i njëjti nuk ka komentuar asnjëherë.
Këtë e bëri të ditur aktivistja e njohur republikane Evi Kokalari, e cila i kërkoi Abazit që të përgjigjet lidhur me këtë zyrë dhe lidhjet e tij me Serbinë.
“Juve personalisht keni pasur zyrën në Beograd kur punonit për The Rockefeller Foundation’? Nuk e di pse duhet të vendosemi në nivelin personal sepse kemi të bëjmë me përmbajtjen dhe jo me simbolikën ku ka qenë zyra’, tentoi t’i ikte pyetjes Abazi, të cilit Kokalari iu përgjigj se ‘’ke qenë zëvendëskryeministër, asgjë s’është më personale”.
“Sa vjet e keni pasur në Beograd zyrën tuaj personale, atë dua të di”? Dua të di se ku qëndron politikisht, je nga e majta apo nga e djathta’, shtoi ajo.
Pas këtij raportimi, dolën të dhëna të reja për Haki Abazin në Beograd. Në një njoftim të Institutit për Kërkime Strategjike, i publikuar në vitin 2008, thuhet se Abazi bashkë me anëtarët e tjerë të Rockfeller Foundation kishin vizituar edhe arkivat e ushtrisë serbe.
Në këtë vizitë, delegacioni u shoqërua edhe nga Sekretari i Shtetit, Dushan Spasojeviç dhe Shefi i Shtabit Aleksandar Skakić.
“Një delegacion i Fondit të Vëllezërve Rockefeller, i përbërë nga Richard Rockefeller, Stefan Broadhead Heinz, Elizabeth Campbell, Ariadna Papagapitos dhe Haki Abazi, vizituan Arkivat Ushtarake më 15 tetor 2008. Delegacioni përfshiu gjithashtu të dërguarin e mbrojtjes së Mbretërisë së Norvegjisë, Nënkolonel Terje Haverstad dhe drejtorin ekzekutiv të Institutit Jefferson, Aaron Presnal. I shoqëruar nga Sekretari i Shtetit, Dushan Spasojeviç, MA dhe Shefi i Shtabit Aleksandar Skakić, delegacioni vizitoi pjesën e Arkivit Ushtarak ku kryhet dixhitalizimi i materialit arkivor”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen e këtij instituti.
Për Abazin gjithashtu u raportua se ishte i përfshirë në një skandal milionësh së bashku me disa persona të tjerë, edhe kësaj radhe, u përmend si drejtues i Fondacionit Rockerfeller Brothers Fund për Ballkanin Perëndimor.
Këto dhe shumë kritika të tjera bënë që Reka e Abazi të mbesin jashtë ekzekutivit në qeverinë Kurti 2, pasi të dy krijuan një profil negativ politik publik gjë që reflektoi në kritika të shumta e tek Abazi edhe në numrin e votave në zgjedhje. /Lajmi.net/