Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu kujtojnë heroin Agron Rrahmani në 28-vjetorin e rënies
Në 28-vjetorin e rënies së Heroit të Kombit, Agron Rrahmani, homazhe pranë varrit të tij kanë bërë ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu e kujtoi Rrahmanin si një ndër figurat kyçe të organizimit të hershëm të luftës çlirimtare, duke theksuar se…
Lajme
Në 28-vjetorin e rënies së Heroit të Kombit, Agron Rrahmani, homazhe pranë varrit të tij kanë bërë ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu e kujtoi Rrahmanin si një ndër figurat kyçe të organizimit të hershëm të luftës çlirimtare, duke theksuar se ai nuk ishte vetëm luftëtar i guximshëm, por edhe njeri i organizimit ushtarak në qytet, transmeton lajmi.net.
“Agroni me shokë mori përsipër punë që nuk dukeshin gjithmonë para syve të njerëzve, por pa të cilat lufta nuk mund të ecte: organizim, lëvizje, përgatitje, lidhje mes njerëzve dhe besim të plotë se Kosova duhej të çlirohej”, ka shkruar ajo.
Sipas Haxhiut, Rrahmani ra heroikisht më 12 maj 1998, në një periudhë që ajo e cilësoi si ndër më të rëndat për organizimin e luftës çlirimtare. Ajo kujtoi gjithashtu se para tij kishin rënë edhe Bahri Fazliu më 7 maj dhe Ilir Konushevci më 9 maj.
“Lavdi e përjetshme heroit Agron Rrahmani dhe të gjithë heronjve dhe dëshmorëve të kombit”, ka përfunduar ajo./lajmi.net/