Albi Xhepa, artisti i ‘The Voice’

Albi Xhepa do të kujtohet si këngëtari më i kompletuar në spektaklin garues, ‘The Voice of Albania’. Këngëtari gjakovar bëri performanca të shkëlqyeshme në këtë ‘show’ televiziv, duke e kombinuar për mrekulli këndimin me lëvizjet dhe aktrimin në skenë, duke demonstruar se bëhet fjalë për një artist të vërtetë. Ai u eliminua në gjysmëfinale, të…

ShowBiz

20/01/2014 17:05

Albi Xhepa do të kujtohet si këngëtari më i kompletuar në spektaklin garues, ‘The Voice of Albania’. Këngëtari gjakovar bëri performanca të shkëlqyeshme në këtë ‘show’ televiziv, duke e kombinuar për mrekulli këndimin me lëvizjet dhe aktrimin në skenë, duke demonstruar se bëhet fjalë për një artist të vërtetë.

Ai u eliminua në gjysmëfinale, të premten që shkoi, në netët live. Por, kjo për të nuk ka aspak rëndësi. Ai ndihet mirënjohës dhe krenar me pjesëmarrjen në këtë spektakël. Albi flet për Lajmi.net për eksperiencën në ‘Voice’ dhe për planet e tij në të ardhmen.

Lajmi.net: Albi, si e përshkruani pjesëmarrjen dhe eksperiencën tënde në Voice of Albania?

Albi Xhepa: Përshëndetje, mund të them lirisht pa dorëza se kjo ishte eksperienca më e bukur e jetës sime. Isha shumë me fat që vendosa të marr pjesë, edhe pse fillimisht u bëra shumë pishman.

Lajmi.net: Ke arritur deri në gjysmëfinale. A e ke pritur këtë arritje? A e konsideron këtë si sukses apo mendon se ke merituar më shumë?

Albi Xhepa: Normalisht që e kam pritur, pasi unë u futa vetëm për fitore. Por, me kalimin kohës, miqësitë dhe konkurrenca super e madhe që ishte, ia morën komplet vlerën asaj dëshirës sime për fitore. Ne u bëmë të gjithë miq, sa që nuk kishte rëndësi më se kush kalon dhe kush jo. Gjithsesi, jam krenar me këtë sukses.

Lajmi.net: Çka do të thotë për ju puna disamuajshe me ‘profesorët’ e muzikës, siç ishin anëtarët e jurisë?

Albi Xhepa: Njohja me Sidritin dhe puna me të si profesor, besoj se ishin dhurata më e mirë që Zoti ma bëri në vitin 2013. E njoha një njeri për të cilin, nuk mund të gjej fjalë se sa i mrekullueshëm dhe pozitiv është…

Lajmi.net: Dihet se ke kënduar edhe para këtij spektakli. Por, a mendon se ‘Voice’ do të ta japë një shtytje në karrierë?

Albi Xhepa: Audienca dhe kualiteti i ‘Voice’, ishin arsyeja kryesore pse unë mora pjesë dhe pa dyshim që publiciteti është shtuar në maksimum dhe i jam shumë mirënjohës për këtë.

Lajmi.net: Kur jemi te karriera, a e shihni muzikën si profesion apo si hobi, nëse veç e keni ndonjë profesion tjetër…?

Albi Xhepa: Dashtë e pa dashtë, muzika është kthyer në një profesion, edhe pse asnjëherë nuk e kam dashur këtë gjë. Por, dashuria dhe vullneti i madh për muzikë, i konvertuan të gjitha mendimet e mija dhe i kthyen ato drejt muzikës.