Alban Hyseni betohet si Kryetar i Gjilanit: Puna jonë do të jetë e ndershmërisë dhe jo e përfitimit

Duke nisur nga sot në Komuna e Gjilanit do të drejtohet nga Alban Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili fitoi zgjedhjet lokale me përqindjen më të madhe të votave.

Lajme

09/12/2021 10:25

Në Kuvendin Komunal të Gjilanit është zhvilluar edhe seanca konstituive në kuadër të legjislaturës së re.

Me këtë rast janë betuar të gjithë asamblistët e rinj të legjislaturës së re komunale të Gjilanit.

E betimin për Kryetar të Gjilanit sot e dha edhe vetë Alban Hyseni.

Me këtë rast Hyseni tha se rotacioni ishte i pashmangshëm duke përcjellë frymën e re që banorët e Gjilanit po e prisnin, që doli nga vota si fillim më 17 tetor e më pas edhe më 14 nëntor.

“Faleminderit për besimin të cilin po e kthejmë tani në bashkëqeverisje. Do të jem zëri nëpërmjet të cilit do të diskutohen dhe zgjidhen të gjitha problemet e qytetit dhe fshatrave.Në tejkalimin e shqetësimeve të juaja që kanë të bëjnë me komunën, qasja jonë do të jetë e njëjtë për të gjithë mbështetës apo jo në zgjedhjet që sapo kaluan.Kërkoj nga ju vetëm durim e bashkëpunim, e të ndihmojmë secilin. Jeni e tashmja dhe e ardhmja për të cilët, komuna ka nevojë, jeni akterët kryesorë në Gjilan.Bashkëpunimi nuk vlen vetëm në nivel të qytetarëve, pro edhe në përfaqësues të vendit.Për çdo proces që ndërmarrim do të jetë i bashkimit dhe jo ndarjes. Këtu puna jonë është e ndershmërisë dhe jo e përfitimit, është e arritjes së vetëm një qëllimi e mirëqenies dhe zhvillimit të Gjilanit, e për Gjilanin”, tha Hyseni, shkruan lajmi.net.

Kryetari i ri i Gjilanit tha gjithashtu se parimet e idealet janë ato që japin forcën dhe nderin e ardhjes në drejtimin e Gjilanit.

“Nga projekti i parë që do ndërmarrim deri tek projekti i fundit në katër vitet e ardhshme, çdo pikëpamje do të mbetet e realizueshme e do të kthehet në realitet, sepse ne s’kemi premtuar gjëra tjera të parealizueshme. Projekti për stadiumin, zonën ekonomike, trajtimin e barabartë në shpërndarjen e subvencioneve, infrastrukturë rrugore, sistem shëndetësorë, ujë të pijshëm e kanalizime të rregulluara në bashkëpunim të ngushtë e me përkrahjen tuaj. Është koha e një gjenerate të re të lidershipit e që do të çojë përpara projektet e Gjilanit. Me bashkësi e konsensus e jetësojmë dhe gjallërojmë përparimin e Gjilanit.Me qëllimin e përbashkët, me dedikimin e përgjithshëm e punojmë për të ardhmen e ngritjen e këtyre çështjeve’, shtoi tutje ai.

Ndryshe Komuna e Gjilanit për dy mandate radhazi është drejtuar nga Lutfi Haziri nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Hyseni në raundin e dytë të zgjedhjeve të mbajtura më 14 nëntor, mposhti kundërkandidatin e tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lutfi Hazirin.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve, Hyseni mori besimin e 21 mijë e 800 qytetarëve gjilanas apo 51,10% të votave.

Kurse kundërkandidati i tij, Haziri mori 20 mijë e 865 vota apo 48.90%. E ditë më parë Hyseni dha dorëheqje nga posti i deputetit të Kuvendit të Kosovës./Lajmi.net/