Alarmon eksperti i anti-terrorizimit, Kolë Krasniqi: Armatimi i ri flet për plane të reja serbe

Eksperti i anti-terrorizmit Kolë Krasniqi, ka thënë se në rast se vërtetohet ajo që ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshmw, Xhelal Sveçla se një pjesë e armatimit të konfiskuar ka hyrë rishtazi në Kosovë, atëherë situata e sigurisë në Kosovë është shqetësuese pasi sipas tij armatimi i ri flet për plane të reja për…

Lajme

02/12/2024 15:35

Eksperti i anti-terrorizmit Kolë Krasniqi, ka thënë se në rast se vërtetohet ajo që ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshmw, Xhelal Sveçla se një pjesë e armatimit të konfiskuar ka hyrë rishtazi në Kosovë, atëherë situata e sigurisë në Kosovë është shqetësuese pasi sipas tij armatimi i ri flet për plane të reja për destabilizimin e vendit ose për vendosmëri të realizimit të asaj që ka nisur në Banjskë.

Kransiqi, gjithashtu shtoi se marr parasysh luftën mes Rusisë dhe Ukrainës dhe avantazhin e Rusisë në këtë luftë, institucionet e sigurisë në Kosovë do duhej 24 orë në shtatë ditë ta ruanin digën e Ujmanit dhe siç tha nëse kjo pjesë ka mbetur pa mbikëqyrje hermetike sigurisht se paraqet përgjegjësi të strukturave të sigurisë në vendin tonë.

“Prandaj në kuadër të rrethanave që e karakterizojnë jo vetëm veriun por edhe stabilitetin ndërkombëtar të rajonit tonë, diga e Ujmanit përkatësisht pjesët strategjike të kësaj dige nëse kanë mbetur pa mbikëqyrje hermetike pa prezencë fizike dhe mbikëqyrje elektronike normalisht se paraqet një përgjegjësi të strukturave të caktuara të sigurisë në vendin tonë. Në rrethana të tilla është dashur të krijohet vigjilenca 24 orë të jenë prezent strukturat tona të sigurisë dhe të krijohen mekanizma tjerë për mbikëqyrje elektronike të kësaj pjese e cila paraqet siguri vitale për vendin tonë marrë parasysh se edhe më herët ka pasur tendenca për shkatërrimin e kësaj infrastrukture vitale për shtetin. Ndërsa te pjesa e armatimit të konfiskuar, nëse vërtetohen deklaratat e ministrit Sveçla se një pjesë e armatimit është mbetje e Banjskës e një pjesë është armatim i ri atëherë situata e sigurisë në Kosovë është shqetësuese sepse kemi të bëjmë me plane të reja ose me vendosmëri të realizimit të asaj që ka filluar në Banjskë”,  tha Krasniqi për RTV21.