Alarmi për mjet shpërthyes në “Gate Club” del të jetë i rrejshëm – Policia jep detaje

Diskoteka “Gate” në Prishtinë nuk po gjen qetësi tash e disa ditë, ku pas një shpërthimi që pati ditë më parë, mbrëmë është raportuar për një mjet shpërthyes. Ky alarm, ka dal të jetë i rremë, ka njoftuar Policia e Kosovës. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Prishtinë, Agron Borovci ka thënë për lajmi.net se…

Lajme

23/07/2025 09:48

Diskoteka “Gate” në Prishtinë nuk po gjen qetësi tash e disa ditë, ku pas një shpërthimi që pati ditë më parë, mbrëmë është raportuar për një mjet shpërthyes.

Ky alarm, ka dal të jetë i rremë, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Prishtinë, Agron Borovci ka thënë për lajmi.net se menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë e specializuara policore, bashkë me njësinë për menaxhimin e mjeteve shpërthyese dhe njësi K9 (qentë gjurmues), kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

Sipas Borovcit, pas evakuimit dhe pas kontrollit të plotë të hapësirave, është konstatuar se nuk ka asnjë mjet shpërthyes dhe se informata ka qenë e rrejshme,

“Rasti është referuar tek prokurori kompetent, dhe hetuesit policorë do të vazhdojnë procedurat hetimore për të sqaruar rrethanat dhe burimin e informacionit. Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin shpërndarjen e informatave të pabazuara, pasi ato shkaktojnë panik të panevojshëm dhe mobilizim të resurseve shtetërore”, ka thënë Borovci për lajmi.net.

Në lidhje me këtë alarm të rremë, sot kanë reaguar edhe nga diskoteka në fjalë.

“Kjo nuk ishte gjë tjetër veçse propagandë dashakeqe, një përpjekje e ulët për të na njollosur he për të na ndalur”, thuhet në postimin e këtij klubi të natës.

Në orët e mëngjesit të së hënës u raportua se një shpërthim ka ndodhur në klubin “Gate” në Prishtinë në rrugën “Epiri”.

Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, nuk kishte të lënduar.

“Rreth orës 02:45, është raportuar për një shpërthim në rrugën “Epiri” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme kundrejt situatës. Nga informacionet fillestare, nuk raportohet për të lënduar. Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm” dhe po vijon punën e saj, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, kishte deklaruar të hënën Borovci. /Lajmi.net/