Alarmante: Qentë bllokojnë hyrjen e Klinikës së Ortopedisë, pacientët në panikë

Qentë endacak janë një nga problemet më serioze të qytetarëve të Kosovës. Ndonëse ata po kërkojnë një zgjidhje nga Komuna e Prishtinës, kjo e fundit ende nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, shkruan lajmi.net. Raste të kafshimit nga këta qen janë të shumtë në kryeqytet, e shpesh viktimat janë të moshuar apo fëmijë. Madje një person…

Lajme

10/09/2024 08:38

Qentë endacak janë një nga problemet më serioze të qytetarëve të Kosovës.

Ndonëse ata po kërkojnë një zgjidhje nga Komuna e Prishtinës, kjo e fundit ende nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, shkruan lajmi.net.

Raste të kafshimit nga këta qen janë të shumtë në kryeqytet, e shpesh viktimat janë të moshuar apo fëmijë.

Madje një person është sulmuar nga qentë endacakë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Incidenti ka ndodhur mëngjesin e së enjtes, kur viktima po kalonte në oborrin e QKUK-së.

I lënduari është dërguar menjëherë për trajtim në Emergjencë mirëpo për shkak të natyrës së lëndimeve ai është transferuar në Klinikën Infektive.

Rasti është raportuar edhe në Policinë e Kosovës.

Kjo nuk është hera e parë që qytetarët sulmohen nga qentë endacakë në oborrin e QKUK-së e gjithandej nëpër rrugët e Prishtinës.

Ndërkaq një qytetar sot në mëngjes është ankuar në adresën e lajmi.net se në hyrje të Klinikës së Ortopedisë ka një grumbull me qenë.

Nga fotografitë shihet se qentë e kanë “zënë derën” e klinikës.

Ndërkaq kujtojmë se së fundmi edhe një fëmijë është kafshuar nga këta qenë derisa po luante me shokët e tij në Ulpianë.

Madje i njëjti siç njofton nëna e tij lajmi.net pati marr trauma të mëdha nga kafshimi i qenit në këmbë.

Rasti kishte ndodhur disa ditë para se fëmija të hynte në shkollë, ndërkaq u raportua me datën 1 shtatorë./Lajmi.net/