Alarm për kamerat private, a mund të shfrytëzohen nga Serbia?
Kamerat e sigurisë të vendosura në rrugët e qyteteve të Kosovës konsiderohen nga institucionet e republikës si shumë të rëndësishme për rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e veprave penale. Autoritetet komunale dhe policore theksojnë se sistemi i monitorimit të tyre është i mbrojtur dhe funksionon në përputhje me ligjet në fuqi, ndërsa qasja në…
Lajme
Kamerat e sigurisë të vendosura në rrugët e qyteteve të Kosovës konsiderohen nga institucionet e republikës si shumë të rëndësishme për rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e veprave penale. Autoritetet komunale dhe policore theksojnë se sistemi i monitorimit të tyre është i mbrojtur dhe funksionon në përputhje me ligjet në fuqi, ndërsa qasja në të dhënat e regjistruara është e kufizuar dhe e kontrolluar vetëm nga Policia e Kosovës, duke garantuar sigurinë publike të qytetarëve por edhe atë nacionale të vendit.
Në Prishtinë, Mitrovicë të Veriut, Prizren, Obiliq por edhe komuna tjera të Republikës, kamerat publike që shteti i ka vendosur, kryesisht nëpër rrugë, janë të monitoruara dhe mbikëqyren rreptësishtë nga Policia e Kosovës, duke mos lënë hapësirën që ndonjë entitet apo vend tjetër, si Serbia në radhë të parë, të mund të ndërhyjë në to.
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, ka deklaruar për KosovaPress se kamerat e sigurisë të vendosura në kryeqytet nuk paraqesin rrezik për sigurinë e qytetarëve e as për atë kombëtare. Përkundrazi, sipas tij, ato janë në shërbim të sigurisë së qytetarëve por edhe të vetë shtetit.
Fushtica ka bërë të ditur se këto kamera janë prodhim kanadez e jo rus ose kinës. Firma e tyre është AVIGILION, që siç pretendon drejtori komunal, garantojnë standardet më të lartë të sigurisë.
“Mund të ju siguroj se nuk ka asnjë rrezik sa i përket sigurisë publike të qytetarëve apo nacionale si pasojë e vendosjes së kamerave në kryeqytet. Sistemi i kamerave azhurnohet vazhdimisht në versionet më të reja të softverit dhe qasja në këto kamera është i mbyllur, nuk ka qasje në internet apo rrjete tjera, nëse bëhet fjalë për hakim apo ndërhyrje nga pala e tretë në qasje në këto kamera. Kamerat dhe serverët janë të vendosur në policinë e Kosovës, kontrollohen nga policia dhe mbrohen me sistemet e saja të sigurisë. 2:04 Këto kamera nuk janë as të prodhimit kinez, as rus apo ndonjë vendi tjetër, janë kamera të prodhimit kanadez, kompania AVIGILION dhe kamerat janë të standardit më të lartë të sigurisë..3:50 Të dhënat që monitorohen dhe ruhen në bazë të ligjit kanë qasje vetëm policia e Kosovës, nëse ka ndonjë rast të dhënat mund të merren vetëm me vendim të prokurorit”, ka thënë Fushtica.
Në polici e konfirmojnë këtë gjë. Drejtori i forcave të rendit për rajonin e Prishtinës, Bekim Bislimi, tregon për çfarë shërbejnë ato dhe çfarë të dhënash mbledhin.
“Kamerat e sigurisë nuk bëjnë mbledhje dhe përpunime të të dhënave biometrike. Kamerat e sigurisë janë të vendosura në dhjetëra lokacione, konform të fazës së parë dhe monitorohen dhe mbikëqyren rreptësishtë nga Policia e Kosovës. Sa i përket bazës ligjore ju kemi referuar ligjit të policisë, neni 25, monitorimi i vendeve publike, pjesa tjetër te respektimi i privatësisë dhe mbrojtja e të dhënave ju referohemi Agjencionit për Informim dhe Privatësi.. Sistemi funksionon në një rrjet të mbyllur, nuk kemi qasje në internet apo në platformë tjetër dhe mundësia është minimale nga një shtet apo mekanizëm tjetër me intervenua dhe me ndërhy në marrje të video incizimeve”, ka thënë Bislimi.
Ndryshim në këto procedura nuk ka as me kamerat që janë vendosur në komunat veriore të shtetit të Kosovës. Zëvendësdrejtori i Policisë për këtë pjesë, Veton Elshani, ka deklaruar se sistemi i kamerave funksionon në përputhje me ligjet e Kosovës dhe se procesimi i të dhënave bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë.
Sipas tij, kamerat këndej pari janë të sigurta dhe nuk ka ndonjë rrezik se të dhënat e tyre mund të shfrytëzohen nga Serbia.
“Ne konsiderojmë që nuk ekziston asnjë rrezik për arsye se të dhënat të cilat përpunohen dhe mblidhen e ruhen, shkatërrohen e procesohen janë në pajtueshmëri me ligjet e Kosovës. Këto ne i shohim, por mbledhjen e këtyre të dhënave, arkivimin e tyre dhe procesimin e bën Prishtina, drejtoria e përgjithshme e Policisë, nuk ka ndonjë rrezik për lëshimin e të dhënave. Ka ligj për mbrojtjen e të dhënave, procesimin dhe në bazë të ligjit funksionojmë ne.1:33 Sipas ligjeve të Kosovës dhe vendimeve ne e dimë që kamerat të cilat i kemi në posedim në rrugët e Veriut të vendit nuk janë të prodhimeve kineze. Kamerat janë të sigurta, prodhuesi i sigurt, nuk ka rrezik që këto të dhëna të shfrytëzohen nga dikush tjetër. Ajo çka është me rëndësi është se ne nuk jemi duke bë ndonjë vëzhgim ilegal”, ka thënë Elshani.
Kamerat e vendosura në shërbim të sigurisë publike janë të sigurta dhe të prodhimit kanadez edhe në komunën e Prizrenit, sipas drejtorit të këtushëm për emergjenca e siguri, Sead Arifi
“Drejtoria është duke realizuar informimin jetik për rritje të sigurisë publike pas instalimit të kamerave në gjithë qytetin, afërsisht në hyrjet dhe daljet kryesore. Kontrata është tre vjeçare, deri tash i kemi montuar dhe instaluar diku 98 kamera. Organi i mbikëqyrjes është Policia e Kosovës, jemi krenar për punën e tyre profesionale për vendosjen e kamerave. Projekti synon rritje të sigurisë dhe mbrojtjes të hapësirave publike. Prodhimi i kamerave është kanadez AVIGILON. Kamerat janë të sigurta”, ka thënë Arifi.
Edhe ekspertët e sigurisë kibernetike thonë se kamerat publike që i vendos shteti janë të sigurta, sikur edhe të dhënat e tyre, pasi ato menaxhohen dhe monitorohen vetëm nga institucionet legjitime. Për dallim prej tyre, ato private përbëjnë rrezik. Kjo për fakti se kamerat e vendosur jo nga shteti, nuk janë të janë të mirëmbajtura apo të konfiguruara si duhet.
Eksperti i sigurisë kibernetike, Lis Tahirbegolli, ka thënë se shumë kamera në pronësi private mund të jenë të ekspozuara në internet.
I njëjti shton se policia duhet të investojë në kibernetikë, të bashkëpunojë me aleatë si NATO, SHBA e BE për inteligjencë kërcënimesh ndërsa bën thirrje të krijohet një ligj për detyrim të raportimit të incidenteve kibernetike.
“Kamerat e sigurisë në Kosovë nuk janë të sigurta në një nivel të pranueshëm, veçanërisht ato që përdorin marka kineze si Hikvision dhe Dahua, të cilat dominojnë tregun. Agjencia për Informim dhe Privatësi ka identifikuar rreth 6,000 kamera private, në ndërtesa apartamentesh, biznese, kafene që janë të ekspozuara në internet për shkak të fjalëkalimeve të dobëta, firmëare të vjetruar ose konfigurime të gabuara.. Ato të policisë të cilat janë të kontraktuara dhe certifikuara janë mëse të sigurta.. Investoni në kibernetikë, auditim të rregullt nga AIP dhe AKSHI, trajnim stafi, qendër operacioni 24/7 për monitorim. Ligj për detyrim të raportimit të incidenteve kibernetike dhe bashkëpunim me aleatë (NATO, SHBA, BE) për inteligjencë kërcënimesh”, ka shtuar Tahirbegolli.
Edhe eksperti tjetër i kibernetikës, Halil Berisha në një përgjigje me shkrim për KosovaPress ka theksuar se kamerat e monitoruara nga Policia e Kosovës janë të sigurta, porse nuk mund të thuhet njëjtë edhe për kamerat private.
Sipas tij, Izraeli ka ndërhyrë në Iran duke shfrytëzuar të dhënat e kamerave të sigurisë së atjeshme, ndërsa nuk e përjashton mundësinë që edhe Serbia të tentojë të bëjë diçka të ngjashme me kamerat e sigurisë private në Kosovë, e posaçërisht me ato në veri të vendit.
Berisha thotë se një ndërhyrje e tillë mund të bëhet përmes komprometimit të rrjeteve ku janë të lidhura këto kamera.
Megjithatë, ai deklaron që Serbia nuk ka kapacitetet teknike e as profesionale të bëj një sulm të tillë.
“Siguria e kamerave varet nga disa faktorë kryesor, prodhuesi dhe firma, konfigurimi dhe rrjeti ku kamerat janë të lidhura. Policia e Kosovës ka politikat e saj të sigurisë për të tre këto aspekte, sikurse për prodhuesin, ku tashmë dihet se janë të ndaluara kamerat nga Kina e Rusia. Por, me rëndësi të madhe janë edhe politikat e sigurisë dhe përdorimit të sigurt edhe për konfigurimin e duhur të tyre dhe gjithashtu për komunikimin e rrjetin ku ato janë të vendosura. Por, kjo nuk mund të thuhet edhe për kamerat private, për të cilat shpesh më shumë shihet çmimi se sa prodhuesi, dhe kështu mund të jenë pajisje me dobësi kritike të sigurisë. Teorikisht është e mundshme që edhe Serbia ta bëj të njëjtën në Kosovë. Një ndërhyrje e tillë mund të bëhet përmes komprometim të rrjeteve ku janë të lidhura këto kamera, shfrytëzim i ndonjë dobësie të sigurisë që modele të caktuara të kamerave mund të kenë, sabotazh, mashtrim apo edhe komprometim i kompanisë që ka prodhuar kamerat. Serbia nuk ka kapacitetet as teknike as profesionale të bëj një sulm të tillë në masë, megjithatë, Kosova duhet që rregullisht të auditoj dhe të përditësoj politikat e saj të sigurisë”, është përgjigjur Berisha.
KosovaPress ka kërkuar të marrë një përgjigje edhe nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, nëse kamerat private mund të keqpërdorën për qëllime që nuk përkojnë vetëm me ato përkufizimi që i përcakton ligji për to. Këtë përgjigje nuk e mori deri në orën 17 të së premtes së 3 prillit.
Nga ana tjetër, qytetarët thonë se nuk besojnë që kamerat publike të rrezikojnë sigurinë dhe privatësinë e tyre.
Banori i Drenasit, Alban Hasani deklaron se ndihet më i sigurt prej kur janë vendosur kamerat.
“Mos me qenë këto ishin bë do sene që as që ishin bë aq të këqija, por e kemi drojën gjithë se mos është këtu dhe gjithmonë shkojmë kah ajo që jemi më të sigurt, i sheh kamerat, ik nga gjërat e këqija, normal ne jemi duke jetu në Kosovë. Këto janë shumë të sigurta për qytetarët. Këto duhet të mbikëqyren nga dikush. I mbikëqyrin policia, njerëzit adekuat që janë për këto sene. Jam shumë më i kënaqur që janë këto kamera”, ka thënë Hasani.
Ndërkohë, Agron Balaj ka shtuar se këto kamera janë tejet të rëndësishme pasi me to siç tha, mund të zbulohen vepra të liga që mund të kryhen nga persona të ndryshëm.
“Jo të rëndësishme por këto janë një milion përqind të rëndësishme. Për shembull mundet me u zbulua hajnia, krimi, fjalosjet të gjitha që nuk janë të mira për ne, por ndodhin. Aq më e lehtë është edhe për policinë e hetuesinë se i zbulojnë më lehtë.. Duhet me u kujdes shteti për to”, ka shtuar Balaj.
Kujdes në lidhje me sigurinë kibernetike që mund të afektojë edhe atë nacionale, i është kërkuar Kosovës edhe me marrëveshje dhe angazhime ndërkombëtare. Në Ujdinë e Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator 2020 nga ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, parashihet që Kosova të mos blejë pajisje teknologjike nga Kina apo Rusia. E njëjta gjë i ishte kërkuar edhe Serbisë.
Në këtë marrëveshje thuhet se të dyja palët duhet të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G të furnizuara nga shitës të pa-besueshëm në rrjetet e tyre të komunikimit. Nëse pajisje të tilla janë të pranishme, të dyja palëve u ishte kërkuar të angazhohen për heqjen e tyre dhe për ndërmarrjen e masave të tjera korrigjuese brenda një afati të arsyeshëm.