Akuzohet se dhunoi seksualisht dhe fizikisht bashkëshorten, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj burrit nga Peja
Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet Xh.Sh., i cili dyshohet për veprat penale “Dhunimi”, “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është ngritur nga Departamenti për Krime të Rënda, pasi ekziston dyshimi i bazuar mirë se i…
Lajme
Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet Xh.Sh., i cili dyshohet për veprat penale “Dhunimi”, “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është ngritur nga Departamenti për Krime të Rënda, pasi ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer këto vepra penale, të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, transmeton lajmi.net.
Sipas aktakuzës, Xh.Sh. dyshohet se më 22 dhe 23 shkurt 2026, në Pejë, në cilësinë e bashkëshortit të viktimës, me përdorimin e forcës dhe kanosjes, e ka detyruar atë të kryejë veprime seksuale pa pëlqimin e saj.
Përveç akuzës për dhunim, Prokuroria pretendon se i pandehuri, për një periudhë të caktuar kohore, ka ushtruar edhe dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, duke cenuar sigurinë dhe mirëqenien e saj në kuadër të marrëdhënies familjare.
Aktakuza e ngarkon gjithashtu të dyshuarin edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve. Sipas Prokurorisë, gjatë veprimeve hetimore të ndërmarra nga Policia e Kosovës janë sekuestruar armë zjarri, municion dhe mjete të tjera, të cilat i pandehuri dyshohet se i posedonte në kundërshtim me ligjin.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës kompetente që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, ta shpallë fajtor të pandehurin Xh.Sh. dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë.