Akuzohen për zhvatje të majme të parave- këta janë 5 zyrtarët e arrestuar të ndërmarrjes publike “Ambienti” në Pejë
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave zyrtarë, për shkak të veprave penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, “Konflikti interesit”, “legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “deklarim i rremë nën betim”. Burime të lajmi.net bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Arton…

Lajme
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave zyrtarë, për shkak të veprave penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, “Konflikti interesit”, “legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “deklarim i rremë nën betim”.
Burime të lajmi.net bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Arton Muhaxherin, Idriz Balën, Fisnik Ademin, Shpëtim Gashin dhe Nexhat Abdullahun- zyrtarë të Ndërmarrjes Publike “Ambienti” në Pejë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit A.M, I.B, F.A, Sh.G dhe N.A, si persona zyrtarë të Ndërmarrjes Publike “Ambienti në Pejë, nga vitit 2020 gjer në fund të vitit 2022, duke vepruar si bashkëkryerës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete dhe personat tjerë, tejkalojnë autorizimet e tyre zyrtare, në atë mënyrë që i pandehuri A.M si Kryesues i Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Ambienti” në Pejë, të pandehurit I.B , F.A, Sh.G, si anëtar të këtij bordi dhe i pandehuri N.B si Kryeshef ekzekutiv dhe anëtar i bordit të kësaj ndërmarrje, pa vendim të aksionarit dhe pa mbulesë ligjore vendosin t’i ndajnë vetit bonuse për secilin prej të akuzuarve.
Po ashtu sipas aktakuzës e cila ka 79 faqe, i pandehuri Arton Muhaxheri, si Kryesues i Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Ambienti” në Pejë, akuzohet edhe për veprat penale “Legalizimi i përmbajtjes se rreme” , “Deklarimi i rremë nën betim” dhe veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga KPRK-së.
I pandehur, Nexhat Abdullahu akuzohet se në cilësinë e Kryeshefit ekzekutiv të “Ambienti” në Pejë duke punësuar me tepër se tetë (8) persona kundërligjshëm, duke kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoriteti zyrtar” dhe veprën penale “Konflikti i interesit”, nga KPRK-së.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtore dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila ju vihen në barrë.
Gjithashtu, në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore e Pejë është kërkuar kompensimi i humbjes se demit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës dhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publik ose në shërbim publik./Lajmi.net/