Akuzat se IPK veproi nën urdhra të Sveçlës, Hodaj: Ka ankesë se policët vepruan pa autorizim të prokurorit
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka deklaruar se Inspektorati Policor i Kosovës me urdhër të ministrit në detyrë, Xhelal Sveçla, ka shkuar në Mitrovicë për t’i hetuar policët që trajtonin rastin e sotëm për dyshime të keqpërdorimit të votave. Sipas tij, IPK ka tejkaluar edhe autorizimet e tij. Por, Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj, thotë…
Lajme
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka deklaruar se Inspektorati Policor i Kosovës me urdhër të ministrit në detyrë, Xhelal Sveçla, ka shkuar në Mitrovicë për t’i hetuar policët që trajtonin rastin e sotëm për dyshime të keqpërdorimit të votave. Sipas tij, IPK ka tejkaluar edhe autorizimet e tij.
Por, Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj, thotë se ekzistojnë dyshime që policët e përfshirë në këtë rast kanë ndërmarrë veprime hetimore pa autorizim të prokurorit.
Hodaj, tutje deklaron se do të angazhojë hetuesit për të verifikuar këto dyshime.
Reagimi i tij i plotë, pa ndërhyrje:
Kryeshefi i IPK-së reagon ndaj deklaratave të dhëna në emisionin Pressing dhe në mediume të tjera, ku pretendohet se, me urdhër të Ministrit, po intervistohen zyrtarët policorë të angazhuar nëpër hetime në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë.
IPK ka pranuar informacione dhe ankesa që pretendohet se zyrtarët policorë, të cilët kanë reaguar në rast, pas dyshimeve të ngritura për parregullsi në Qendrën e Votimit, kanë ndërmarrë veprime hetimore pa autorizim të Prokurorit.
Për shkak të ndjeshmërisë së procesit, IPK, në bazë të autorizimeve ligjore, do të angazhojë hetues për të shqyrtuar ankesën dhe verifikuar këto pretendime, dhe për t’u siguruar që të gjitha veprimet e ndërmarra nga zyrtarët policorë janë në harmoni me dispozitat ligjore./GazetaExpress