Akuzat e PD-së për “trenin bullgar” në Peqin, prokuroria: Po e hetojmë rastin
Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për falsifikim të materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve pas denoncimit të Partisë Demokratike për përdorimin e metodës së ashtuquajtur “treni bullgar” në fshatin Pekisht të Peqinit. Organi i akuzës i ka kthyer sot përgjigje selisë duke e vënë në dijeni për këtë procedim penal. “Në përgjigje të kërkesës…

Lajme
Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për falsifikim të materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve pas denoncimit të Partisë Demokratike për përdorimin e metodës së ashtuquajtur “treni bullgar” në fshatin Pekisht të Peqinit.
Organi i akuzës i ka kthyer sot përgjigje selisë duke e vënë në dijeni për këtë procedim penal.
“Në përgjigje të kërkesës suaj të protokolluar pranë nesh me Nr.5470, datë 26.05.2025, lidhur me informacionin e kërkuar për ngjarjen e datës 22.05.2025 të ndodhur në fshatin Pekisht Peqin, ju bëjmë me dije se: Nga verifikimi i kryer nga zyra e regjistrit rezulton të jetë regjistruar procedimi penal Nr.522 datë 26.05.2025, për veprën penale të “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve të parashikuar nga neni 326 i Kodit Penal. Aktualisht ky procedim ndodhet në fazë hetimi”, thuhet të përgjigje.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha denoncoi më 22 maj, bashkë me kandidatin e Elbasanit, Blendi Himçi, përdorimin e “trenit bullgar”.
Ata publikuan një video nga një bar-kafe në fshatin Pekisht të Peqinit ku kishte fletë votimi, lista votimi dhe para cash. Pas këtij denoncimi, policia njoftoi nisjen e hetimit për Dervish Beqirin, pronarin e kafenesë dhe njëkohësisht kryeplakun e fshatit Pekisht.
Ky i fundit i pari thënë Himçit, gjatë ballafaqimit me provat se fletët e votimit ishin për të mësuar dorën.
Megjithatë, ky justifikim i tij, nuk e ka penguar opozitën të akuzojë për farsë zgjedhore më 11 maj dhe se për ta realizuar atë është përdorur metoda e “trenit bullgar”.
Për këtë çështje ka pasur një reagim edhe të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili mohoi të jetë përdorur si teknikë manipulimi.
Në një shkresë zyrtare, ai tha se nuk u evidentua asnjë rast ku fletë votimi të papërdorura të jenë administruar jashtë kutive të materialeve zgjedhore, raporton Tv Klan.