Akuza për korrupsion, caktohet seanca ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar për 8 tetor seancën e shqyrtimit fillestar ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, lidhur me akuzat për korrupsion të ngritura nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga udhëheqësja e Zyrës për Informim dhe Media të kësaj gjykate, Milinda…

Lajme

26/09/2025 11:43

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar për 8 tetor seancën e shqyrtimit fillestar ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt, lidhur me akuzat për korrupsion të ngritura nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nga udhëheqësja e Zyrës për Informim dhe Media të kësaj gjykate, Milinda Gashi..

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj të pandehurve F.M. dhe H.M. është caktuar të mbahet më 08.10.2025, në ora 09:30”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Në këtë seancë, Mujka dhe Muzliukaj pritet të deklarohen lidhur me fajësinë.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Mujka, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, dhe Muzliukaj, në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private.

Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se, në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit, nuk kishte deklaruar shumën prej 60 mijë e 50 euro që iu sekuestruan në shtëpi.