“Aktin e kreu Radoiçiqi”, politikani serb thotë se ka informacione se Oliver Ivanoviq u vra nga Serbia

Millan Radoiçiq deri tash nënkryetar i Listës Serbe, për shumë kohë e ka terrorizuar veriun. Ai njihet si i “forti” i veriut të Kosovës, ku përmes kërcënimeve, shantazheve e ndjelljes së frikës arriti të bëhej një ndër personat më të pushtetshëm të asaj pjese. Radoiçiq ishte udhëheqësi i grupit të terroristëve, por që dyshohet se…

Lajme

01/10/2023 22:15

Millan Radoiçiq deri tash nënkryetar i Listës Serbe, për shumë kohë e ka terrorizuar veriun.

Ai njihet si i “forti” i veriut të Kosovës, ku përmes kërcënimeve, shantazheve e ndjelljes së frikës arriti të bëhej një ndër personat më të pushtetshëm të asaj pjese.

Radoiçiq ishte udhëheqësi i grupit të terroristëve, por që dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe në vepra të tjera penale.

Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Odgovor”, Boban Bogdanoviq ka bërë publike një informacion që ai ka pranuar lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit në veri të Kosovës.

Bogdanoviq duke iu referuar burimeve të tija thotë se politikani serb Oliver Ivanoviq është vrarë nga një terrorist që ishte pjesë e sulmit e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

“Sapo mora informacion tronditës, në formacionin terrorist nën komandën e terroristit ndërkombëtar Milan Radoiçiq në sulmin në veri të Kosovës ishte edhe vrasësi i Oliver Ivanoviq. Tani gjithçka është plotësisht e qartë, Oliveri u vra me mbështetje politike nga Beogradi”, ka shkruar ai në rrjetin social “X”.

Bogdanoviq muaj më parë ka thënë se është intervistuar nga Agjencia Informative e Sigurisë së Serbisë (BIA), pasi jep deklarata në mbështetje për Kosovën në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.

Tutje ka treguar se për dy ditë ka pranuar telefonata në këmbim që të mos kritikohet Lista Serbe dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Sipas Bogdanoviqit, këto thirrje kanë ardhur me qëllimin se në Qeverinë e ardhshme të Kosovës këtij t’i ofrohet një pozitë ministrore dhe të jetë nënkryetar i Listës Serbe.

Jo vetëm Bogdanoviq, por edhe politikanë të tjerë në Kosovë kanë treguar se regjimi i Beogradit po i shantazhon në forma të ndryshme të gjithë ata që nuk janë në Listën Serbe apo përkrahës të saj.