Aktgjykimi i Supremes: Shfuqizimi i udhëzimit të jashtëligjshëm administrativ të Muratit publikohet në Gazetën Zyrtare

Gjykata Supreme e Kosovës kishte vendosur të shfuqizojë udhëzimin administrativ për pajisjet fiskale të lëshuar nga Hekuran Murati, ministër i Financave dhe njëkohësisht deputet i Kuvendit të Kosovës. Tash ky vendim gjendet edhe në Gazetën Zyrtare. Vendimi është marrë para tetë ditësh, ndërsa si arsye kryesore për këtë vendim është përmendur parimi i ndarjes së…

Lajme

23/07/2025 16:54

Gjykata Supreme e Kosovës kishte vendosur të shfuqizojë udhëzimin administrativ për pajisjet fiskale të lëshuar nga Hekuran Murati, ministër i Financave dhe njëkohësisht deputet i Kuvendit të Kosovës. Tash ky vendim gjendet edhe në Gazetën Zyrtare.

Vendimi është marrë para tetë ditësh, ndërsa si arsye kryesore për këtë vendim është përmendur parimi i ndarjes së pushteteve, që ndalon ushtrimin e njëkohshëm të dy funksioneve publike në degë të ndryshme të pushtetit, transmeton lajmi.net

Murati, i cili ishte betuar si deputet pas zgjedhjeve, e kishte vazhduar funksionin e tij si ministër. Derisa i mbante dy pozitat ai kishte lëshuar një udhëzimi administrativ të kontestuar për pajisjet fiskale.

Megjithatë, Gjykata Supreme e ka konsideruar këtë udhëzim të paligjshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën, duke theksuar se një person nuk mund të jetë njëkohësisht pjesë e pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv.

Vendimi i Supremes ka ngjallur reagime të ashpra nga zyrtarë të Vetëvendosjes dhe të Qeverisë Kurti, të cilët kanë kritikuar gjykatën.

Ata kanë hedhur akuza ndaj sistemit gjyqësor, duke e cilësuar si të kapur nga ish-struktura politike dhe të papërgjegjshëm ndaj realitetit institucional të vendit.

Nga ana tjetër, njohës të çështjeve juridike dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme, duke e quajtur një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e parimit të ndarjes së pushteteve dhe forcimin e shtetit të së drejtës./lajmi.net/