​Aktgjykimi i plotë i Kushtetueses: Këta janë skenarët sipas juristit Bajraktari

Gjykata Kushtetuese duhet të përcaktojë qartë nëse subjekti më i madh politik në Kuvend ka të drejtë absolute për të propozuar kryeparlamentarin, thotë juristi Ardian Bajraktari. Sipas tij, krahas kësaj të drejte, Kushtetuesja ka nevojë të sqarojë edhe detyrimin për sigurimin e numrit të mjaftueshëm prej 61 votash për ta zgjedhur atë, në mënyrë që…

Lajme

28/07/2025 18:30

Gjykata Kushtetuese duhet të përcaktojë qartë nëse subjekti më i madh politik në Kuvend ka të drejtë absolute për të propozuar kryeparlamentarin, thotë juristi Ardian Bajraktari.

Sipas tij, krahas kësaj të drejte, Kushtetuesja ka nevojë të sqarojë edhe detyrimin për sigurimin e numrit të mjaftueshëm prej 61 votash për ta zgjedhur atë, në mënyrë që vendi të mos jetë në bllokadë.

Ai pret që në aktgjykimin e plotë të Kushtetueses, pas kalimit të masës së përkohshme për krizën në Kuvend deri më 8 gusht, institucioni më i lartë juridik në vend të tregojë nëse veprimet e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, kanë qenë në shpërputhje me Kushtetutën, për shkak të insistimit për votim të fshehtë të kryeparlamentarit.

Avokati Bajraktari thotë se nuk pret që si pasojë juridike e moskonstituimit të Kuvendit deri më 26 korrik – afat i dhënë nga Kushtetuesja – të decertifikohen deputetët apo të shpërndahet Kuvendi për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja.

Të shtunën e javës së kaluar, deputetët dështuan për herë të 54-të të konstituojnë legjislaturën e nëntë, ndërsa ka skaduar edhe afati 30-ditor i dhënë nga Gjykata Kushtetuese, që i obligonte të zgjedhurit e popullit të konstituonin trupat e Kuvendit deri më 26 korrik.

“Natyrisht, në drejtim të, siç e kam thënë, disiplinimit të skenës politike, tashmë kanë mbetur vetëm edhe dy-tri elemente që besoj se Gjykata Kushtetuese do të duhej t’u jepte zgjidhje, në funksion të përfundimit të ciklit të themelimit të institucioneve. Dhënia e përgjigjes për çështjet e ngritura nga dy subjektet politike është esenciale për të konstatuar gjendjen, për faktin se, siç dihet, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të 26 qershorit, kemi pasur vazhdim të qëndrimeve të ndryshme të subjekteve politike. Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që, përveç konstatimit nëse kemi pasur veprime në shpërputhje nga ana e kryesuesit, të adresohet dhe të përcaktohet qartë fakti se çka dhe si duhet të veprojë subjekti më i madh politik. A është e drejta për të propozuar kandidatin, absolute? Apo kjo nënkupton edhe detyrimin për të siguruar shumicën prej 61 votash? Ky qartësim është thelbësor”, thekson ai.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme nga 27 korriku deri më 8 gusht për pezullimin e veprimeve të deputetëve në seancën konstituive, deri në publikimin e aktgjykimit.

Sipas avokatit Bajraktari, një nga mundësitë më të mëdha është që Kushtetuesja të obligojë Avni Deharin që seanca konstituive të kthehet në gjendjen që kishte para tentativës për ndryshim të rendit të ditës dhe vendimit për votim të fshehtë për kryeparlamentarin.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që nga 1 maji ka propozuar formimin e një komisioni për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit, pas gjashtë dështimeve me votim të hapur për zgjedhjen e Albulena Haxhiut, si kandidate e LVV-së.

“Gjykata Kushtetuese nuk e shkruan Kushtetutën – ajo e interpreton atë. Dhe këtë interpretim, në rrethana konkrete, e bën në mënyrë sistematike, duke marrë parasysh raste të ngjashme dhe kuadrin kushtetues. Pra, janë dy çështje thelbësore: të konstatohet nëse veprimet e kryesuesit teknik, pas ndryshimit të rendit të ditës, kanë qenë ose jo në shpërputhje me rregullativën; si dhe të qartësohet e drejta për të propozuar kandidatin. Në bindjen time, një nga mundësitë reale është që të obligohet kryesuesi që çështja të kthehet në pikën ku kishte mbetur para tentativës për të ndryshuar rendin e ditës apo kandidatin. Gjithashtu të vlerësohet nëse subjekti politik mund të ndryshojë kandidatin ose nëse kjo e drejtë i hiqet, për shkak se krahas së drejtës, ekziston edhe detyrimi për të siguruar shumicën. Kjo nuk duhet të nënkuptojë bllokim të procesit të themelimit të institucioneve”, shton Bajraktari.

Përkitazi me këtë, ai kërkon që Kushtetuesja të jetë më e qartë dhe eksplicite, me theks të veçantë te pjesa e dispozitivit për të shmangur interpretime të ndryshme.

Partitë politike në Kuvend kanë pasur interpretime të ndryshme sa i përket aktgjykimit të Kushtetueses më 26 qershor, njëra palë [LVV-ja] ka insistuar se lejohet votimi i fshehtë i kryerparlamentarit, kurse tjetra [partitë që ishin në opozitë] e ka konsideruar si antikushtetues.

“Aktgjykimi duhet të jetë shumë i qartë, sidomos pjesa dispozitive e tij. Çështja e masës së përkohshme është e rregulluar në nenin 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe në këtë rast Gjykata ka vepruar vetë. Duke vendosur afatin 30-ditor, Gjykata e ka vënë veten përballë detyrimit për të përcaktuar pasojat, përndryshe vendimi mbetet i paplotë. Decertifikimi nuk është zgjidhje e përshtatshme, sepse do të thotë që vijnë deputetë të tjerë. Edhe shpallja e zgjedhjeve nuk është zgjidhje automatike – Kushtetuta nuk e parasheh një gjë të tillë për mungesën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Edhe në vitin 2014 Gjykata e kishte theksuar këtë. Prandaj, nuk mendoj që tani duhet të dalë përtej këtyre standardeve”, potencon ai.

Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja, përkundër që zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.

E kjo krizë politike, sipas avokatit Bajraktari është si pasojë që partia e parë në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka numrat për të formuar shumicën parlamentare.

“Kriza politike, përveçse është për keqardhje, në radhë të parë është rezultat i mungesës së numrave dhe reflektimit, si dhe mungesës së vullnetit politik për ta adresuar këtë çështje. Shpresoj që Gjykata Kushtetuese do të veprojë brenda një afati të arsyeshëm, për shkak të ndjeshmërisë së situatës. Në thelb, gjithçka lidhet me mungesën e vullnetit politik për të gjetur zgjidhje”, thotë ai.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill. Procesi ka ngecur në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, për të cilën LVV, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, ka propozuar deputeten Albulena Haxhiu. Për partitë e tjera, Haxhiu konsiderohet e papranueshme.

Ajo dështoi gjashtë herë me votim të hapur për të marrë mbështetjen e nevojshme prej 61 votash. Më pas, u tentua votimi i fshehtë, por edhe ai dështoi. Deputetët e kishin të shtunën, më 26 korrik, mundësinë e fundit për ta konstituuar legjislaturën e nëntë brenda afatit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese – një afat 30-ditor që përfundoi më 26 korrik.

Në ditët në vijim pritet që Kushtetuesja të sqarojë pasojat juridike për deputetët e zgjedhur dhe hapat që do të ndërmerren më tej./kp