Aktgjykimi i plotë | Gjykata dënon Bashën për shpifje ndaj Graincës – duhet të kërkojë falje publike dhe të paguajë 25 mijë euro
Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur fajtor kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, për shpifje dhe fyerje ndaj biznesmenit dhe ish-zëvendësministrit, Mustafë Grainca. Aktgjykimi është marrë më 22 korrik 2025, por u bë publik sot, duke nxitur reagime në opinionin publik, transmeton lajmi.net. Çfarë vendosi gjykata? Sipas aktgjykimit të siguruar nga lajmi.net, Basha obligohet…

Lajme
Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur fajtor kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, për shpifje dhe fyerje ndaj biznesmenit dhe ish-zëvendësministrit, Mustafë Grainca.
Aktgjykimi është marrë më 22 korrik 2025, por u bë publik sot, duke nxitur reagime në opinionin publik, transmeton lajmi.net.
Çfarë vendosi gjykata?
Sipas aktgjykimit të siguruar nga lajmi.net, Basha obligohet të tërheqë një editorial të botuar më 1 korrik 2019 në portalin “Insajderi”, me titull “Ferizaj, krimi dhe pushtetarët”, si dhe disa postime në Facebook të publikuara gjatë viteve 2019–2020.
Ai duhet të kërkojë falje publike brenda 8 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit, si në portal ashtu edhe në faqen e tij në Facebook.
Gjykata vendosi gjithashtu që kryeparlamentari t’i paguajë Mustafë Graincës 25 mijë euro si kompensim për dëmin moral dhe material, së bashku me kamatë ligjore 8% që nga data e parashtrimit të padisë (22 korrik 2019).
Përveç kësaj, Basha detyrohet të mbulojë edhe 2,607 euro shpenzime procedurale.
Nëse pagesa nuk kryhet brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit, ajo do të përmbarohet me forcë. Shprehjet e kontestuara Në arsyetimin e saj, gjykata ka theksuar se një pjesë e shkrimeve të Bashës tejkaluan kufijtë e lirisë së shprehjes dhe satirës politike.
“Shprehja ‘ky supermen gjenë kohë të merr pagë edhe nga Komuna e Ferizajt’ i atribuon paditësit përfitime të paligjshme pa asnjë provë dhe kalon kufijtë e debatit publik”, thuhet në aktgjykim.
Po ashtu, gjykata vlerësoi si shpifje titullin “Ferizaj, krimi dhe pushtetarët”.
“Ky titull dhe përmbajtja e artikullit lë të kuptohet se paditësi është i lidhur me veprimtari kriminale. Një gjë e tillë, pa prova konkrete, përbën shpifje dhe cenim të rëndë të nderit dhe reputacionit të tij”, theksohet në dokument.
Kompensimi financiar
Fillimisht, Mustafë Grainca kishte kërkuar 65 mijë euro dëmshpërblim.
Gjykata aprovoi pjesërisht kërkesën, duke vendosur shumën prej 25 mijë eurosh dhe duke refuzuar pjesën tjetër si të pabazuar.
Në proces u administruan një sërë provash, përfshirë artikuj mediatikë, postime në rrjete sociale, dokumente të biznesit të Graincës dhe deklarimin e tij të pasurisë për vitin 2019, ku figuron pasuri mbi 649 mijë euro.
Reagimet dhe hapat e ardhshëm
Vendimi i sotëm pritet të hapë debat të gjerë publik, pasi Basha – i zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës më 26 gusht 2025 – përballet me një aktgjykim që prek drejtpërdrejt figurën dhe kredibilitetin e tij politik.
Aktgjykimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit brenda 15 ditëve nga pranimi i tij.
Nëse mbetet në fuqi, Basha duhet të përmbushë detyrimet financiare dhe të kërkojë falje publike, siç është urdhëruar nga gjykata./lajmi.net/