Aktakuzë për zyrtarin e Doganës pas kalimit të automjetit Mercedes me mallra pa kontroll – i shkaktoi shtetit dëm mbi 3 mijë euro
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër një zyrtari të Doganës së Kosovës, I.K., për dyshimin se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare. Sipas aktakuzës, më 16 korrik 2025, ai ka lejuar kalimin pa kontroll të një “Mercedesi Sprinter” në Pikën Kufitare në Vërmicë, i cili më vonë rezultoi i ngarkuar me mallra komerciale…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër një zyrtari të Doganës së Kosovës, I.K., për dyshimin se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.
Sipas aktakuzës, më 16 korrik 2025, ai ka lejuar kalimin pa kontroll të një “Mercedesi Sprinter” në Pikën Kufitare në Vërmicë, i cili më vonë rezultoi i ngarkuar me mallra komerciale në vlerë 11,457.60 euro, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës një dëm prej 3,414.36 euro transmeton lajmi.net.
Prokurori ka kërkuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, përfshirë edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike.
Njoftimi i plotë:
Prizren, 26 Dhjetor 2025 – Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit I.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par.1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, më 16 korrik 2025, rreth orës 19:17min, në Pikën Kufitare në Vërmicë, i pandehuri I.K., në cilësinë e personit zyrtar, si zyrtar i Doganës së Kosovës, ka tejkaluar kompetencat e tij duke shkelur procedurat standarde të operimit të Doganës së Kosovës. I njëjti, duke mos zbatuar detyrimet ligjore për kontroll të automjeteve, personave dhe mallrave, ka lejuar kalimin pa kontroll të një automjeti komercial të tipit “Mercedes Sprinter”, të cilin e drejtonte A.K., të cilin e ka regjistruar në sistem si të zbrazët.
Pas kalimit të pikës kufitare, automjeti është ndaluar nga njësia për antikontrabandë dhe gjatë kontrollit është konstatuar se ishte i ngarkuar me mallra komerciale në vlerë prej 11,457.60 euro. Pas kryerjes së ekspertizës financiare, ka rezultuar se i njëjti, buxhetit të Republikës së Kosovës i ka shkaktuar dëm material në shumë prej 3,414.36 €.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, po ashtu përveç dënimit kryesor t’i shqiptohet dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik./lajmi.net/