Aktakuzë ndaj katër inspektorëve të ndërtimit në Gjilan

Të pandehurit janë B. A., V. Sh, M. Sh dhe Sh. H të cilët dyshohen për shkak se kanë kryer veprën penale, keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar.

Lajme

05/02/2016 15:31

Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Gjilan,  ka ngritur aktakuzë kundër katër të pandehurve.

Të pandehurit janë  B. A., V. Sh, M. Sh dhe Sh. H të cilët dyshohen për shkak se kanë kryer veprën penale, keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar.

Prokuroria njofton se këta persona, gjatë periudhës kohore të vitit 2013 – 2014, dhe në objekte të ndryshme, në cilësi të inspektorëve ndërtimorë, në bashkëkryerje, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër, apo t’i shkaktojnë dëme personit tjetër, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre të domosdoshme të përcaktuara me ligj.

“Të pandehurit duke mos i ndërmarr veprimet zyrtare që kanë qenë të detyruar t’i ndërmarrin  lidhur me rrënimin e objekteve pa leje, apo që është tejkaluar leja e ndërtimit, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me interesat dhe qëllimet e Komunës së Gjilanit, të pandehurit nuk e kanë ekzekutuar masën për rrënim e objekteve pa leje apo të tejkalimit të ndërtimit të objekteve pa leje”, deklaron prokuroria në njoftimin zyrtar./lajmi.net